Kronike
Zbulohet identiteti i shqiptarit që humbi jetën duke tentuar t’i shpëtonte policisë me 1 milion euro drogë në makinë

38-vjeçari shqiptar, i cili humbi jetën pas aksidentit tragjik në Itali, është identifikuar si Arbër Meçaj.
Ndërsa, dinamika e gjithë ngjarjes, nga ndjekja e policisë te transporti i kokainës me vlerë 1 milionë euro, është zbardhur nga mediat italiane.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, policia ka qenë në pritë për Arbër Meçajn, pasi kishin marrë informacione se ai dhe bashkëpunëtori i tij italian, po transportonin drogë.
Sapo policia ka parë mjetin e 38-vjeçari shqiptar që ishte pa targa dhe po afrohej, ka ndezur sirenat e alarmit. Në këtë moment, ka filluar arratisja nga Meçaj, i cili në vend që të ndalonte u largua me shpejtësi në një Fiat 500 L përgjatë Via Santa Maria Goretti, duke e përfunduar udhëtimin e tij në Via Spaventa.
Për Mecajn, i cili mbante një çantë me 23 blloqe kokaine, nuk kishte asgjë që mund të bëhej. Ai vdiq menjëherë. Fiat 500 L doli nga rruga, duke u përplasur me forcë me një shtyllë dhe duke u përmbysur.
Sipas asaj që doli nga një fazë fillestare e hetimit, e cila synon gjithashtu të sqarojë dinamikën e saktë të ndjekjes, e gjithë ngjarja zgjati rreth 30 minuta.
Trupi i Arbër Meçajt është transferuar tashmë në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Poliklinikës Tor Vergata ku do të kryhet autopsia.

