Connect with us

Bota

Trump ka zgjedhur Kosovën, Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnje Hercegovinën për të sjellë emigrantët e dëbuar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke ushtruar presion mbi Serbinë dhe disa vende të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor që të pranojnë migrantë të deportuar nga nga territori i SHBA-së, ka raportuar të enjten agjencia e lajmeve “Bloomberg” duke cituar burime kredibile brenda administratës amerikane në Uashington.

Kjo është pjesë e një strategjie të gjerë të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të gjetur qeveri të gatshme në rajon që të pranojnë migrantë që janë në prag të deportimit, përfshirë edhe ata që kanë hyrë në vend gjatë administratës së mëparshme amerikane, duke përfituar nga mbrojtja e përkohshme humanitare.

Zyrat rajonale të Departamentit të Shtetit janë ngarkuar për promovimin dhe prezantimin e këtij plani, megjithëse ende nuk është e qartë nëse janë arritur marrëveshje konkrete. As Shtëpia e Bardhë, as Departamenti i Shtetit e as Ministria e Jashtme e Serbisë nuk janë përgjigjur ndaj kërkesave të “Bloomberg” për koment.

Vendimi i Gjykatës Supreme në maj për të lejuar administratën Trump të heqë statusin ligjor për afro gjysmë milioni migrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela, ka përshpejtuar përpjekjet për të gjetur vende të treta për deportimin e këtyre individëve.

Në bazë të një raportimi të prestigjozes “Wall Street Journal” në prill, administrata amerikane kishte shqyrtuar edhe vende të tjera në Ballkanin Perëndimor për sistemimin e migrantëve që pritet të dëbohen nga SHBA-ja, duke përfshirë Kosovën.

Ndryshe, kryeministri i Britanisë së Madhe, Sir Keir Starmer, gjithashtu, synon të çojë përpara planin për të ngritur “stacione të kthimit” për emigrantët në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në listën e qeverisë britanike përfshihen Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja-Hercegovina, ndërsa Shqipëria ka marrëveshje me Italinë.

Advertisement