Kosova
Kancelari gjerman Merz: Kosova e qëndrueshme është me rëndësi jetike për ne dhe NATO-n

Veç dy javë pasi që u bë kancelar i Gjermanisë, Friedrich Merz dhe qeveria e tij morën një vendim që lidhet direkt me Kosovën. Ekzekutivi në Berlin zgjati pjesëmarrjen e Ushtrisë Gjermane në kuadër të misionit paqeruajtës së NATO-s në Kosovë, që vepron prej 26 vitesh.
Zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, ka thënë se një Kosovë stabile dhe paqësore është prej rëndësisë thelbësore për Gjermaninë, NATO-n dhe gjithë Evropën.
Vendimi i qeverisë tani pritet të miratohet nga Parlamenti gjerman, Bundestag, kurse për peshën historike që ka pjesëmarrja gjermane në KFOR, zëdhënësi dha fakte të forta.
“Nga viti 1999, Ushtria jonë Bundeswehr, është e përfshirë në mënyrë aktive në misionin e KFOR-it, për stabilizimin edhe sigurimin e paqes në Kosovë. Situata e sigurisë në veri të vendit, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme politike, së fundmi është stabilizuar. Momentalisht janë të mundura përkeqësime afatshkurtra. Prandaj është me rëndësi që KFOR-i dhe me tej të kontribuojë në përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë e Ballkan Perëndimor”, u shpreh Zëdhënësi i Qeverisë gjermane.

