Connect with us

Kronike

Xhuxhi i Ligë, fantazma e trafikut të drogës në jug të Italisë, arrestohet 48-vjeçari shqiptar

11 persona, mes tyre një 48-vjeçar shqiptar, i dyshuar si kreu i grupit, kanë rënë në pranga gjatë një operacioni nga policia italiane. Mediat në vendin fqinj shkruajnë se një grup kriminal që merrej me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në Gargano në rajonin e Pulias në Italinë jugore dhe në rajonet të tjera është shkatërruar ndërsa grupi në fjalë kishte në përbërje kryesisht italianë dhe drejtohej nga shqiptari Elidon Buxheli.

Shqiptari dyshohet se ka promovuar, organizuar dhe drejtuar aktivitetin e paligjshëm së bashku me dy italianë, Di Nauta dhe Cursio. Në dosjen prej 100 faqesh zbulohet se droga shpërndahej në Gargano edhe jashtë rajonit, me udhëtime nga Lesina drejt San Benedetto del Tronto, ku në një episode janë dorëzuar 13 kilogramë hashash. Sasi të papërcaktuara kokaine dyshohet se janë transportuar nga Lesina në Cerignola nga vetë Buxheli, i cili shërbente gjithashtu si furnizues i hashashit dhe kokainës për Cursio, Sacco, Folla dhe Di Nauta.

Emri i Buxhelit përmendet vazhdimisht në dosje teksa ai vepronte në hije, por sipas hetuesve, është ai orkestruesi i trafikut të drogës që nga brigjet e Adriatikut furnizonte tregjet e shpërndarjes në Itali. Nga dokumentet, sipas mediave italiane, del një portret i qartë i Elidon Buxhelit: një figure shumë e kujdesshme dhe e dyshimtë deri në paranojë. Nuk shoqërohet kurrë nga të tjerët, flet shumë pak edhe me bashkëpunëtorët e tij dhe është në gjendje të qëndrojë për orë të tëra në makinë pa thënë asnjë fjalë, komunikon vetëm përmes WhatsApp-it dhe rrallëherë përdor linjën tradicionale të telefonisë.

Ndër të tjera mediat italiane shkruajnë se Buxheli është aq i kujdesshëm sa edhe në biseda të zakonshme tensionohet nëse ndien qoftë edhe një shenjë të përgjimeve apo prani të ndonjë të infiltruari. Ai frekuentote vetëm vende takimi të verifikuara dhe të planifikuara me kohë. Gjithashtu ai është furnizuesi i Cursios dhe Saccos me substanca narkotike, duke menaxhuar kontaktet dhe lëvizjet si një “broker” i paligjshmërisë.

“Elidon Buxheli është aq i vëmendshëm sa mes bashkëpunëtorëve të tij e kishte fituar pseudonimin “Nano Malefico” – “Xhuxhi i Ligë”, për shkak të shtatit të tij të shkurtër dhe dyshimeve të shtuara. Gjatë periudhës së hetimeve, përdorte tre makina të regjistruara në emra të tjerë, por që i përdorte vetëm ai. Përmes përgjimeve dhe të dhënave GPS është vërtetuar se ai frekuentonte banesën në rrugën Santa Maria në Campomarino (CB), ku bashkëjetonin Cursio dhe Sacco dhe ku Buxheli ndodhej në arrest shtëpie që nga janari 2024. Buxheli shkonte rregullisht në atë banesë, duke treguar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe operative me çiftin, që shërbente si një nyje logjistike për shpërndarjen e ngarkesave të drogës“, raportojnë mediat në vendin fqinj.

Advertisement