Bota
Zelensky nënshkruan marrëveshje me Këshillin e Evropës për themelimin e një tribunali për krime lufte

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nënshkroi të mërkurën vonë një marrëveshje me Këshillin e Evropës për themelimin e një tribunali të posaçëm që do të gjykonte zyrtarë të lartë përgjegjës për pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
“Çdo kriminel lufte duhet ta dijë se do të ketë drejtësi dhe kjo vlen edhe për Rusinë”, tha Zelensky pas nënshkrimit të marrëveshjes në Strasburg me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset.
“Duhet ta dërgojmë një mesazh të qartë: agresioni çon në ndëshkim. Dhe, këtë duhet ta bëjmë së bashku, si Evropë”, shtoi ai më vonë në X.
Mandati i tribunalit do të jetë ndjekja penale e drejtuesve të lartë politikë dhe ushtarakë për krimin e agresionit kundër Ukrainës, tha Këshilli i Evropës.
“Kjo vepër penale i referohet vendimit për të përdorur forcën e armatosur kundër një shteti tjetër duke e shkelur Kartën e OKB-së”, tha këshilli.
Shtetas të Bjellorusisë apo Koresë së Veriut mund të ndiqen gjithashtu penalisht nëse provohet se kanë luajtur rol të rëndësishëm në krimin e agresionit kundër Ukrainës, shtoi ai.
Berset theksoi se e drejta ndërkombëtare “duhet të zbatohet për të gjithë, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta”.
Ai tha se Këshilli i Evropës shpreson se tribunali do ta nisë punën vitin e ardhshëm. Nuk është vendosur ende se ku do ta ketë selinë tribunali.
Kjo është hera e parë që një tribunal i tillë themelohet nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës, organit më të lartë për të drejtat e njeriut në kontinent.
Këshilli i Evropës, me 46 anëtarë, nuk është pjesë e BE-së, dhe përfshin shtete evropiane të rëndësishme jashtë BE-së si, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina./ REL

