Kosova
Goditja e hidhur për Kosovën/ Gjykata Speciale, një projekt për të kënaqur Serbinë

Katër vjet pas arrestimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së, procesi ndaj tyre në Gjykatën Speciale po zvarritet pa një përfundim të afërt.
Profesori britanik i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, Aidan Hehir, shpreh shqetësim të thellë për mënyrën se si është themeluar dhe funksionon kjo gjykatë.
Në një intervistë ai e përshkruan Gjykatën si një organ të motivuar politikisht dhe një projekt të imponuar mbi Kosovën për t’ia plotësuar interesat strategjike Perëndimit dhe Serbisë.
Sipas Hehir-it, qëndrimi shumëvjeçar i të akuzuarve në paraburgim është i pajustifikueshëm ligjërisht dhe etikisht.
Profesori britanik e cilesoi këtë gjykatë si një mekanizëm thellësisht politik, të krijuar për të kënaqur Serbinë.
“Gjykata Speciale është një trupë thelbësisht politike. Ajo u krijua me një qëllim të vetëm: për të qetësuar Serbinë. Gjykata iu imponua Kosovës nga ata që ishin të interesuar të afronin Serbinë me sferën perëndimore dhe ta largonin nga ndikimi rus” – theksoi profesori britanik teksa dhe shtoi se kjo gjykatë i shërben propagandës së Beogradit për ta barazuar luftën çlirimtare të shqiptarëve me krimet e shtetit serb, duke i paraqitur shqiptarët si agresorë. Pasojat e kësaj qasjeje, sipas tij, janë të rënda për të ardhmen politike të Kosovës.
“UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj janë me të drejtë të perceptuar si heronj brenda komunitetit shqiptar në Kosovë; që ata tani të akuzohen për përfshirje në një ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’ është një goditje e hidhur që ka shkaktuar zemërim të madh. Shqiptarët e Kosovës me të drejtë ndihen se aleatët perëndimorë janë kthyer kundër tyre. Nëse figura me peshë si Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi shpallen fajtorë, kjo me gjasë do të shkaktojë trazira shoqërore në Kosovë dhe do t’i japë hov nacionalizmit serb” – potencoi profesori I njohur britanik

