Politike
Bardhi nxjerr 10 pikat e raportit të KE-së/ Godet qeverinë për Ballukun dhe korrupsionin
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka renditur dhjetë problematika që, sipas tij, evidentohen në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë të vitit 2026. Në fokus të reagimit të tij janë funksionimi i Kuvendit, korrupsioni, çështja e imunitetit të Belinda Ballukut, politizimi i institucioneve të pavarura dhe mungesa e reformës zgjedhore.
Një prej pikave më të ndjeshme që veçon Bardhi lidhet me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Sipas tij, raporti ngre shqetësime për respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe funksionimin e mekanizmave të kontrollit e balancës mes pushteteve.
Në listën e tij, Bardhi përfshin edhe atë që e cilëson si mosfunksionim demokratik të Parlamentit dhe cenim të të drejtave kushtetuese të opozitës. Ai pretendon gjithashtu se shumica parlamentare nuk ka zbatuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.
Kreu i grupit parlamentar demokrat ndalet te korrupsioni, të cilin raporti i KE-së e identifikon si një sfidë të vazhdueshme për vendin, si dhe te politizimi i emërimeve në institucionet e pavarura kushtetuese dhe ligjore. Në këtë kontekst, ai përmend edhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit vetëm me votat e shumicës parlamentare, pa konsensus ndërpartiak.
Reagimi:
Raporti i Komisionit Europian 2026 për Shqipërinë, në mënyrë të përmbledhur:
1. Evidenton mosfunksionimin demokratik të Parlamentit dhe cenimin e të drejtave kushtetuese të opozitës.
2. Evidenton se korrupsioni vazhdon të jetë një sfidë reale për Shqipërinë.
3. Evidenton shkeljen e parimit të barazisë përpara ligjit në çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
4. Evidenton moszbatimin nga shumica parlamentare të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
5. Evidenton nevojën për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, që është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
6. Evidenton se reforma territoriale dhe administrative në zhvillim, e shoqëruar me një tendencë drejt ricentralizimit, ka krijuar pasiguri për njësitë e vetëqeverisjes vendore.
7. Evidenton kapjen e shtetit nga partia në pushtet, përmes politizimit të të gjitha emërimeve në institucioneve e pavarura kushtetuese dhe ligjore.
8. Evidenton se Avokati i Popullit u zgjodh vetëm me votat e shumicës qeverisëse, duke thyer traditën e konsoliduar të konsensusit ndërpartiak.
9. Evidenton që Qeveria ka ndërmarrë nisma ligjore që nuk përputhen me acquis-in e BE-së dhe standardet europiane, përfshirë miratimin e një ndryshimi në ligjin për portet turistike.
10. Evidenton nevojën për forcimin e integritetit dhe llogaridhënies së Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Të gjitha këto janë arsye për të cilat studentët, të rinjtë, qytetarët shqiptarë, protestojnë prej ditësh e muajsh tashme. Këto problematika nuk i zgjidh dot Edi Rama, që është shkaku i tyre. Prandaj zëri i të rinjve duhet të dëgjohet. Shqipëria ka nevojë për largimin e Edi Ramën, ka nevojë për një qeveri kujdestare që përgatit vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE.