Connect with us

Kosova

Tërmet në Kosovë/ Zgjatet e rëndohet përplasja Hoti-Osmani: Ka shkatërrruar shtetin

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, pas deklaratës së saj në konferencë për media në të cilën e quajti “personin më jorelevant”.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se Osmani e ka problemin dikund tjetër.

“Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së. Pesë vite demagogji e mashtrime, të cilat po dalin sheshit. Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Ky është problemi që ka Vjosa”, ka shkruar Hoti në rrjetin social ‘Facebook’.

Ai ka thënë se mandati i Osmanit po përfundon pa asnjë rezultat e pa asnjë kontribut për shtetin e Kosovës.

“Kjo e ka hallin se në prill e dorëzon mandatin dhe do të mbahet përgjegjëse dhe bashkëfajtore për rrënimin e reputacionit të shtetit të Kosovës dhe dëmet që i janë bërë e po i bëhen shtetit të Kosovës”.

Ndërkaq, ka kritikuar edhe heshtjen e saj në raport me vendimet e institucionet të drejtësisë.

“Asnjë fjalë nuk e flet për vendimet e organeve të drejtësisë që konstatojnë uzurpimin e institucioneve nga LVV dhe partnerët e saj, përfshirë ish-partinë e saj Guxo”.

Fillimisht, Hoti e kishte quajtur Osmanin, hipokrite për deklaratat e saj në lidhje me Marrëveshjen e Uashingtonit.

Kjo pasi sipas tij marrëveshja në fjalë nuk është zbatuar as nga ajo dhe as nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Reagimi i Hotit kishte ardhur pasi Osmani gjatë një bashkëbisedimi në “Hudson Institute” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte folur për rëndësinë e lidershipit amerikan për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar se Administrata e Donald Trump ka potencialin për të bërë gjëra të rëndësishme në raport me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Advertisement