Bota
BE arrin dakordësinë, sanksione të reja për Rusinë

Vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar të premten për miratimin e një pakete të re sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, si dhe për uljen e çmimit tavan për eksportet e naftës ruse.Paketa e 18-të e ndëshkimeve ekonomike ndaj Rusisë prej se ajo e nisi pushtimin e vendit fqinj më 2022, u miratua pasi Sllovakia hoqi dorë nga kundërshtimi disa javor, pas bisedimeve me Brukselin lidhur me planet për t’i hequr gradualisht importet e gazit rus.“BE-ja sapo miratoi një nga paketat më të forta të sanksioneve kundër Rusisë deri më tani”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.“Çdo sanksion dobëson aftësinë e Rusisë për të bërë luftë. Mesazhi është i qartë: Evropa nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën. BE-ja do të vazhdojë të rrisë presionin derisa Rusia të ndalojë luftën”, shtoi ajo.Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, i njohur për qëndrimet e tij proruse, hoqi dorë nga kundërshtimi pasi mori “garancitë” e kërkuara nga Brukseli në lidhje me çmimet e gazit, ndërkohë që blloku synon t’i ndërpresë plotësisht importet ruse deri në fund të vitit 2027.Si pjesë e sanksioneve të reja që synojnë t’i dobësojnë financimet për luftën e Rusisë, diplomatët thanë se BE-ja është pajtuar ta ulë çmimin tavan për naftën ruse të eksportuar në vendet e treta 15 për qind nën vlerën e tregut.

