Connect with us

Kosova

Emisarja britanike për Kosovën e Serbinë: S’ka nevojë për zgjidhje magjike, mjafton zbatimi i marrëveshjeve

E dërguara speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pearce, ka vlerësuar se nuk ka nevojë për zgjidhje “magjike” për çështjen mes Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas saj, mjaftojnë marrëveshjet ekzistuese.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për një qasje të re apo ndonjë zgjidhje magjike që do të zgjidhte problemet në Bosnje e Hercegovinë apo në çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar ajo gjatë një interviste për BBC në gjuhën serbe.

Ajo ka sqaruar edhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese.

“Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit përmbajnë ide shumë të mira. Ato nuk janë marrëveshje teorike, por adresojnë çështje shumë praktike si liria e lëvizjes, qasja dhe pjesëmarrja. Është jetike që politikanët t’i zbatojnë ato për të ndihmuar qytetarët dhe komunitetet”.

Karen Pearce u emërua si e dërguar speciale e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor në shkurt të vitit 2025, duke pasuar Stuart Peach në këtë rol.

Liderët e Kosovës dhe Serbisë vazhdimisht fajësojnë njëri-tjetrin për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve apo për dështimin dhe ngërçin e deritanishëm në kuadër të procesit.

Kosova dhe Serbia që nga shtatori i vitit 2023 nuk kanë zhvilluar takim të dialogut në nivel të lartë politik. Së voni, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë me dije se po bëhen përgatitje për një takim të ri të dialogut në nivel të lartë politik.

 

 

Advertisement