Bota
“Rrezik njohja e shtetit të Palestinës”, Meloni në krah të Trump, kundër Macron

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka dalë hapur kundër qëndrimit të presidentit francez Emmanuel Macron për njohjen e shtetit të Palestinës, duke u rreshtuar krah ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, Meloni theksoi se njohja e një shteti palestinez, pa u krijuar realisht një shtet i tillë, përbën jo vetëm një rrezik për procesin e paqes, por mund të jetë edhe e dëmshme për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit.
“Besoj se njohja e shtetit të Palestinës, pa pasur realisht një shtet të tillë, mund të jetë madje edhe e dëmshme për qëllimin përfundimtar,” – deklaroi Meloni.
Ajo shtoi se nëse shumë shtete e njohin Palestinën në mënyrë të njëanshme, ekziston rreziku që problemi të perceptohet si i zgjidhur, ndërkohë që realisht mbetet i pazgjidhur. Kryeministrja italiane theksoi se është përkrahëse e krijimit të një shteti palestinez, por vetëm pas përfundimit të procesit real dhe politik për themelimin e tij.
Deklaratat e Melonit vijnë pas njoftimit të Macron se Franca do të njohë Palestinën si shtet në muajin shtator, një lëvizje që ka ngjallur reagime të forta nga aleatë ndërkombëtarë si SHBA dhe Italia.
Ndërkohë, tensionet diplomatike mbeten të larta edhe për shkak të krizës humanitare në Rripin e Gazës. Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania bënë thirrje për një fund të menjëhershëm të luftës, pas një bisede telefonike midis liderëve Keir Starmer, Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz. Kjo deklaratë shihet si një përgjigje e tërthortë ndaj qeverisë izraelite, e cila pretendon se nuk ka krizë ushqimore në Gaza, pavarësisht paralajmërimeve të OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare për mungesë të theksuar ushqimi./

