Connect with us

Kronike

Vodhi hotele, vila e banesa në Durrës dhe Tiranë, arrestohet hajduti serial

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 21-vjeçar të identifikuar si Orgito Hajrullaj, në kuadër të operacionit policor të koduar “Seriali”. I riu akuzohet për një seri vjedhjesh të kryera gjatë muajit korrik në zona të ndryshme të Durrësit dhe Tiranës.

Sipas policisë, Hajrullaj dyshohet se është autor i 11 vjedhjeve të ndodhura në vila, hotele, biznese, parkingje dhe tabakino, prej nga ka marrë shuma parash, sende me vlerë, biçikleta, monopatina dhe mjete të tjera. I riu ishte i shpallur më parë në kërkim për disa raste të tjera të ngjashme dhe është me precedent penal për vjedhje.

Në momentin e ndalimit nga Policia, Hajrullaj kundërshtoi me dhunë punonjësit me qëllim shmangien e arrestimit, por u neutralizua dhe u prangos në kohë nga efektivët.

Gjatë operacionit u sekuestruan si prova materiale mjetet e përdorura për vjedhjet (thikë, kaçavidë), dy motomjete, një aparat celular dhe sende të tjera me vlerë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprat penale: “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”; “Vjedhja” (në më shumë se një rast); “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; “Shkatërrimi i pronës”; “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Policia e Durrësit vijon punën për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Advertisement