Përmes një postimi në Facebook, Meta thekson se nuk kishte asnjë të re nga takimi i fundit që zhvilloi me prokurorët më 27 maj, ndërsa përshëndeti mbylljen formale të hetimeve.

“Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 maj me prokurorët e SPAK-ut. Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në dhjetor 2019,” shkruan Meta.

Ai thekson se gjatë takimit me prokurorët ka kërkuar sërish që të hetohet me përgjegjësi se kush ka kryer pagesat e paligjshme në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) për lobimin në SHBA dhe se kujt i dërgoheshin faturat për miratim nga kompania lobuese GSIS.

“Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS,” vijon Meta.

Sipas tij, moskryerja e hetimeve në këto dy drejtime nuk është çështje profesionale apo ligjore, por pasojë e drejtpërdrejtë e një diktati politik.

“Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh,” përfundon Meta.