Connect with us

Aktualitet

Zjarret në vend, ende 3 vatra aktive; evakuohen banorët e fshatit Finiq

Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 21 vatra zjarri, nga të cilat 18 janë shuar dhe 3 janë ende aktive.

Zjarri në zonën e Poliçanit në Berat vijon të jetë aktiv në zonën e pyllit, larg Kombinatit të Armëve. Raportohet në terren ndodhen 7 automjete zjarrfikëse, 40 efektivë të MZSH nga Poliçani, Berati dhe Skrapari, 20 forca bashkiake si dhe 1 automjet zjarrfikës me ekipin nga FA, të cilët kanë rinisur punën për shuarjen e flakëve që në orët e para të mëngjesit të sotëm. Zjarri në zonën pranë uzinës është shuar, ndërsa po punohet për të fikur plotësisht pjesën e mbetur të pyllit me shkurre.

Ndërkohë, policia e ka identifikuar autorin e zjarrvënies në territorin e Uzinës së Armëve në Poliçan. Ai është një 63-vjeçar, banor i zonës, person me probleme të shëndetit mendor.

Duhet theksuar se terreni është tepër i vështirë dhe gjithçka realizohet me mjete rrethanore, pompa shpine dhe punë me krah. Zjarri që ra mesditën e djeshme ishte brenda territorit të uzinës së armëve, një zonë e cila është rreptësisht e ndaluar dhe ku nuk lejohen civilë apo media pa autorizimin përkatës.

Sipas drejtuesve të uzinës, mësohet se hidrantët e uzinës nuk funksiononin dhe nuk kishin ujë. Mjetet zjarrfikëse furnizoheshin me ujë duke shkuar në qytet, gjë që e vështirësoi ndjeshëm punën për shuarjen në kohë të zjarrit.

Disa fshatra të bashkisë Finiq u rrezikuan seriozisht nga një zjarr i fuqishëm, ku ndërhyrja intensive gjatë gjithë natës nga forcat zjarrfikëse dhe efektivët e Forcave të Armatosura ka qenë vendimtare për të frenuar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara. Qëllimi kryesor i operacionit ishte mbrojtja e jetës dhe pronës së banorëve.

Për shkak të përkeqësimit të situatës, mbrëmjen e djeshme u mor vendimi për evakuimin e banorëve të fshatit Dhivër si një masë sigurie. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen dëme në njerëz.

Në ndihmë të operacionit janë angazhuar edhe autobotë dhe personel nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime Sarandë, ndërkohë që në orët e para të mëngjesit ka mbërritur sërish një helikopter për të ndihmuar në operacionet ajrore.

Zjarri ka përfshirë fshatrat Dhivër, Kularat, Cerkovicë, Shën Ndre dhe Janicat, ndërsa rrezikohen edhe fshatrat Leshnicë, Memoraq dhe Navaricë. Banorët shprehen se kanë pësuar dëme të konsiderueshme në ullinj dhe pemë. Në fshatin Cerkovicë janë djegur dy shtëpi të pabanuara, ndërsa edhe në Shën Ndre janë djegur dy shtëpi të tjera të pabanuara. Zjarri ka prekur gjithashtu oborret dhe bahçet e dhjetëra shtëpive në këto zona.

Banorët vlerësojnë se puna e zjarrfikësve ka qenë e mrekullueshme dhe vendimtare, ndërsa ndërhyrja e helikopterit është cilësuar si efikase në kontrollimin e situatës.

Në Qarkun Fier, flakë me përmasa të mëdha po përhapen me shpejtësi në pyllin me pisha, midis fshatrave Gjinoqare, Drenie dhe Lofkënd. Në vendngjarje ndodhen forcat ushtarake të repartit të Poshnjes, si dhe zjarrfikësit e Mallakastrës dhe Patosit. Për shkak të terrenit të vështirë, forcat zjarrfikëse nga qyteti, si dhe Mallakastra, po operojnë për shuarjen e flakëve me aparatura shpine. Shefi i zjarrfikësëve në Patos, Alket Halimi thotë për “Report Tv” se flakët janë përhapur edhe për shkak të bimësisë së dendur.

Përhapja e flakëve shoqërohet me shpërthime të befta, për shkak të qilimit halor shumëvjeçar. Shkurret e dendura dhe terreni i thyer po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Deri tani, raportohet se janë djegur rreth 5 hektarë pyll dhe shkurre, që nga pasditja e djeshme.

Për shkak të përkeqësimit të situatës, gjatë mbrëmjes u mor vendimi për evakuimin e banorëve nga fshati Dhivër, si masë sigurie. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohen dëme në njerëz.

Advertisement