Bota
‘Vendi ynë është në korrupsion të thellë’/ Familja e një prej viktimave të Epstein flet për herë të parë

Familja e Virginia Giuffre, një nga viktimat më të njohura të Jeffrey Epstein, ka reaguar ashpër ndaj emërimit të Lord Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, duke thënë për BBC-në se ai “nuk duhej të ishte emëruar kurrë”.
Në një intervistë ekskluzive me gazetaren Laura Kuenssberg, vëllai i saj, Sky Roberts, deklaroi se ky emërim “tregon sa thellë shkon korrupsioni në sistemet tona”.
Ndërkohë, Sekretari për Biznesin, Peter Kyle, e cilësoi “shumë të pamundur” që Mandelson do të ishte përzgjedhur në këtë detyrë nëse qeveria do të kishte qenë e informuar plotësisht mbi marrëdhënien e tij me Epstein.
Sipas Kyle, në kohën e emërimit të tij, marrëdhëniet Britani–SHBA ndodheshin në një moment të ndjeshëm dhe ishte e nevojshme të përzgjidhej dikush me “aftësi të jashtëzakonshme”.
Publikimi i një sërë emailesh mes Mandelson dhe Epstein nga Bloomberg nxiti valën e reagimeve që çuan në shkarkimin e tij nga kryeministri. Në këto email-e, Mandelson i kërkonte Epstein të luftonte për një lirimin e parakohshëm nga burgu dhe shprehte mbështetje për të, në një kohë kur ai përballej me akuza të rënda për krime seksuale.
Vetë Mandelson ka pohuar se ishte bazuar në garanci për pafajësinë e Epstein-it, të cilat më vonë rezultuan “horribilisht të gabuara”, ndërsa ka shprehur pendesë për lidhjen e tij me të. Ai gjithashtu është shprehur se “si një burrë homoseksual”, nuk kishte interes apo qasje ndaj grave që Epstein mund të kishte prezantuar.
Giuffre, e cila ndërroi jetë në prill pasi kishte kaluar vite duke luftuar për drejtësi dhe për të ekspozuar rrjetin e abuzimeve të lidhura me Epstein, u bë zëri më i fuqishëm i viktimave të tij.
Në vitin 2001, në moshën 17-vjeçare, ajo pretendoi se ishte dërguar në Londër ku u takua me princin Andrew, ndaj të cilit ngriti akuza për abuzim seksual – pretendime që princi i ka mohuar, por që përfunduan me një marrëveshje jashtëgjyqësore në vitin 2022.
Familja e saj, përmes kunatës Amanda Roberts, tha se “është e padrejtë që ne duhet të nxjerrim skeletet nga dollapi që njerëzit të mbajnë përgjegjësi” dhe se “është koha që të vendoset drita mbi këto njerëz që mbajnë tituj dhe pushtet pa ndjesë apo turp”.
Shkarkimi i Mandelson është parë si një hap në drejtimin e duhur, por sipas familjes Giuffre, nuk mjafton. Vëllai i saj tha për BBC-në se “ka ende njerëz atje jashtë, të përfshirë në rrethin e Epstein-it, që mund të jenë duke u sjellë po njësoj ndaj të miturve edhe sot”.
Një nga shqetësimet kryesore mbetet fakti që marrëdhënia e Mandelson me Epstein kishte dalë në pah gjatë fazës së verifikimit për emërimin e tij, por duket se informacioni nuk u analizua në mënyrë të thelluar. Burime nga qeveria britanike i thanë BBC-së se me më shumë pyetje dhe hetim, email-et mund të ishin zbuluar më herët.
Opozita politike në Mbretërinë e Bashkuar ka kërkuar një hetim të pavarur. Partia Konservatore dhe Liberal Demokratët kanë thënë se ende nuk është dhënë një përgjigje e qartë nga qeveria për atë që dihej saktësisht rreth lidhjeve të Mandelson me Epstein para emërimit të tij si ambasador.
Ndërkohë, deputetja laburiste Rosena Allin-Khan tha se Mandelson “nuk duhej të ishte emëruar kurrë” dhe se kryeministri ka ende shumë për të provuar për të fituar besimin e publikut. Mandelson vetë nuk ka komentuar më tej, ndërsa Downing Street ka refuzuar të japë një qëndrim zyrtar mbi rastin.

