Bota
Sikorski i Polonisë shpërthen në OKB: Epoka e perandorive ka mbaruar, çdo dron ukrainas është i bekuar

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, mbajti një fjalim të fortë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbrëmjen e 22 shtatorit, duke lëshuar akuza të ashpra ndaj Rusisë dhe duke paralajmëruar për pasoja serioze nëse vazhdojnë shkeljet e hapësirës ajrore të NATO-s.
“Ne e dimë që ju nuk keni asnjë respekt për të drejtën ndërkombëtare. Nuk mund të jetoni në paqe me askënd. Nacionalizmi juaj i sëmurë është vetëm etje për dominim. Por mbajeni mend këtë: epoka e perandorive ka mbaruar. E juaja nuk kthehet më”, tha Sikorski në sallën e Këshillit.
Ai theksoi se nëse një raketë apo objekt tjetër rus bie sërish në territorin e NATO-s, përgjigjja do të jetë e menjëhershme: “Mos vini të ankoheni. Ju jeni paralajmëruar”.
Duke marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare, ministri polak befasoi edhe me mbështetjen e hapur për ushtrinë ukrainase: “Çdo dron që ju godet, i lëshuar nga heronjtë e Forcave të Armatosura të Ukrainës – Zoti i bekoftë ata – e sjell më afër atë ditë”.
Deklaratat e Sikorskit pasojnë incidentet e fundit me shkeljet e avionëve dhe dronëve rusë në hapësirat ajrore të Polonisë dhe Baltikut, duke rritur tensionet mes Moskës dhe NATO-s.

