Connect with us

Bota

Fluturimi sekret i Netanyahut, kryeministri izraelit ndjek itinerarin e pazakontë për të shmangur arrestimin për krime lufte

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ndjekur një rrugë fluturimi jo të zakonshme në udhëtimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara, mes frikës se mund të arrestohej nëse kalonte mbi hapësirat ajrore të disa vendeve europiane.

Netanyahu u nis nga Tel Avivi të mërkurën në mbrëmje për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe për të zhvilluar një takim me ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Në vend që të fluturonte në itinerarin e zakonshëm mbi disa vende të Evropës, fluturimi i tij ndoqi një rrugë më të gjatë përgjatë Detit Mesdhe dhe kaloi nëpër Ngushticën e Gjibraltarit, sipas të dhënave nga faqet që ndjekin fluturimet, si FlightRadar24.

Avioni kaloi për një kohë të shkurtër mbi hapësirat ajrore të Greqisë dhe Italisë, por shmangu tërësisht Francën dhe Spanjën – gjë që zgjati ndjeshëm kohëzgjatjen e fluturimit.

Zyra e Kryeministrit të Izraelit nuk ka dhënë ndonjë sqarim zyrtar për këtë devijim të pazakontë të itinerarit, megjithëse burime diplomatike franceze kanë konfirmuar se Franca kishte pranuar kërkesën e Izraelit për të kaluar në hapësirën e saj ajrore. “Në fund, ata vendosën të ndjekin një tjetër rrugë dhe nuk e dimë pse,” tha një diplomat francez për mediat.

Sipas raportimeve të Jerusalem Post, disa anëtarë të stafit dhe gazetarë nuk janë lejuar të udhëtojnë me Netanyahu për arsye “teknike” që lidhen me vendosjen dhe sigurinë, por dyshohet se arsyeja e vërtetë është peshë e shtuar e avionit për shkak të sasisë më të madhe të karburantit që kërkonte ky itinerar më i gjatë.

Udhëtimi i mëparshëm i Netanyahut drejt SHBA-ve në muajin korrik përfshinte fluturim mbi Greqinë, Italinë dhe Francën.

Kujtojmë se Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ka lëshuar një urdhër-arresti për Netanyahu-n në nëntor të vitit të kaluar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vendet anëtare të ICC janë të detyruara ligjërisht të arrestojnë personat me urdhër-arrest aktiv nëse ndodhen në territorin apo hapësirën e tyre ajrore – ndaj shmangia e këtyre vendeve duket të jetë një masë parandaluese.

As Izraeli dhe as Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtarë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Advertisement