Connect with us

Kosova

Kosovë-Serbi brenda një lufte të ftohtë/ Mujanoviç: Pa ndryshim qeverie në Beograd, s’ka rifillim të dialogut

Politologu dhe analisti nga Bosnja dhe Hercegovina, Jasmin Mujanoviç, ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar, pasi sipas tij, pa një ndryshim të Qeverisë në Beograd, nuk mund të ketë rifillim të dialogut diplomatik.
Mujanoviç, përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, e ka quajtur raportin aktual mes Kosovës dhe Serbisë “luftë të ftohtë”.
“Çështja Serbi-Kosovë tani është një luftë e ftohtë, në gjithçka përveç emrit. Nuk duhet të presim rifillimin e dialogut diplomatik me kuptim derisa të ketë një ndryshim qeverie në Beograd”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka komentuar edhe reagimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ndaj blerjes së dronëve Skydagger nga Kosova.
“Dialogu Kosovë-Serbi ka përfunduar dhe ka kohë që ka përfunduar. Kapitulli i tij i fundit u shkrua nga operacioni paramilitar i Beogradit në Banjskë. Reagimet e Vuçiçit ndaj blerjes së dronëve Skydagger nga Kosova janë thjesht një pranim i irrituar se situata e sigurisë në terren nuk është më nën kontrollin e tij”.
Mijëra dronë luftarakë kamikazë të mërkurën kanë mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, për përdorimin e të cilëve dhjetëra ushtarakë të FSK-së do të trajnohen.
Pas arritjes së këtyre dronëve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kritikuar Turqinë, duke thënë se është i tmerruar nga sjellja e këtij vendi dhe ka konsideruar se ai e ka shkelur Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas furnizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës me “mijëra” dronë kamikazë “Skydagger”.
“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe është duke ëndërruar sërish për ringjallje të Perandorisë Osmane. Serbia është shtet i vogël, por ne i kuptojmë synimet e tyre reale”, ka deklaruar Vuçiç.

Advertisement