Connect with us

Aktualitet

Gjurmueshmëria e re ushqimore: Nga krizat e sigurisë, te etiketat që do të ndryshojnë tregun shqiptar

Siguria ushqimore ka qenë në qendër të vëmendjes publike muajt e fundit, me një seri rastesh që kanë tronditur besimin e konsumatorëve shqiptarë. Nga mishi i pulës me salmonelë, te luleshtrydhet e kontaminuara me pesticide dhe sheqeri i palmës me përmbajtje të lartë dyoksidi squfuri – të gjitha kanë ekspozuar një realitet të brishtë të mbrojtjes ushqimore në vend.

Reagimet e vonuara të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), i cili pritet të shkrihet tërësisht nën ombrellën e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, vetëm sa kanë thelluar perceptimin e një sistemi që funksionon më shumë në ndëshkim pas fakti, se sa në parandalim.

Që më herët megjithatë, gjatë pranverës, ish-ministrja Anila Denaj, ka konfirmuar se një ristrukturim i plotë është në proces, ndërkohë që institucionet po përpiqen të përafrohen me standardet e Bashkimit Evropian.

Vështirësitë gjithsesi janë të dukshme, parë edhe faktin se grupkapitulli i negociatave që përfshin bujqësinë, ka mbetur si i fundit për t’u hapur, me 17 nëntorin si datë të përcaktuar.

Në këtë kuadër, një udhëzim i ri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026, shihet si hapi më konkret drejt garantimit të gjurmueshmërisë së plotë të produkteve ushqimore.

Sipas tij, siç ka mësuar që prej prillit Albanian Post, çdo produkt që hyn në tregun shqiptar do të duhet të ketë një kod unik identifikimi të shënuar në etiketë, që do të tregojë vendin dhe kohën e prodhimit, përpunimit ose paketimit.

Në praktikë, ky sistem do të mundësojë ndjekjen e produktit në çdo hallkë të zinxhirit – nga ferma, deri te rafti i tregtisë me pakicë.

“Ky udhëzim ka për qëllim të forcojë sistemin e gjurmueshmërisë së produkteve ushqimore nëpërmjet vendosjes së treguesve identifikues, duke u mundësuar autoriteteve dhe bizneseve të monitorojnë dhe të menaxhojnë në mënyrë efektive produktet ushqimore”, thuhet në dokumentin zyrtar.

Sistemi do të nisë zbatimin gradualisht, ndërsa produktet që ndodhen aktualisht në stok do të lejohen të shiten deri në mbarimin e tyre. Pas kësaj periudhe, çdo ambalazh pa kod do të konsiderohet shkelje ligjore. Kjo masë është menduar si pjesë e një reforme më të gjerë, që përfshin edhe fiskalizimin e tregut agro-ushqimor, ku çdo transaksion mes fermerëve, tregtarëve dhe përpunuesve duhet të shoqërohet me faturë elektronike të fiskalizuar.

Nga tregu informal, te mungesa e kontrollit

Eksperti i agrikulturës dhe zhvillimit rural, Enea Zenuni, në një prononcim për Albanian Post lidhur me çështjen, thekson se problemet e sigurisë ushqimore në Shqipëri janë shumë më të thella megjithatë se thjesht mungesa e etiketimit.

“Institucionet përgjegjëse nuk kanë kapacitete, mjete apo trajnimet e duhura për të kaluar në filtrin e kontrollit produktet ushqimore”, shprehet ai.

Sipas tij, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) dhe Autoriteti i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, janë strukturat që duhet të mbulojnë këtë kontroll, por në praktikë inspektimet janë “të pakta ose pothuajse fare”. Nga referencat zyrtare, Shqipëria kryen rreth 1 mijë e 25 analiza në vit për produktet import-eksport – vetëm pesë analiza në ditë – një shifër që tregon qartë kufizimin e burimeve dhe kapaciteteve.

Zenuni kujton se që prej vitit 1988 nuk janë kryer analiza të tokës në mënyrë sistematike, ndërsa shkrirja e Institutit të Tokave ka lënë boshllëqe serioze në hartën e zonave me rrezik. Në mungesë të këtij informacioni, përdorimi i pesticideve apo ujit të ndotur në zona industriale mbetet i pakontrolluar.

“Në disa zona, si Elbasani apo zonat minerare, cilësia e ujit është e komprometuar dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në produktet bujqësore që arrijnë në treg”, thekson ai.

Këto boshllëqe janë pasqyruar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, ku thuhet se “Shqipëria ka një nivel të caktuar përgatitjeje në fushën e sigurisë ushqimore, por nuk është bërë asnjë progres gjatë periudhës raportuese”.

Etiketa e re: domosdoshmëri për tregun, sfidë për zbatimin

Ndërhyrja e re ligjore për vendosjen e kodeve të gjurmueshmërisë pritet të sjellë një revolucion administrativ për bizneset ushqimore. Çdo produkt i parapaketuar do të duhet të mbajë një kod që fillon me shkronjën “L”, i cili tregon serinë dhe origjinën e tij. Përjashtime do të bëhen vetëm për produktet e shitura pa ambalazh ose në paketime shumë të vogla.

Ekspertët e konsiderojnë këtë si një nga nismat më të rëndësishme për transparencën në treg, megjithëse e vështirë për t’u zbatuar në një ekonomi ku informaliteti mbetet ende dominant.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, faturimi i deklaruar nga bizneset agro-ushqimore është rritur me 60% pas nisjes së aksionit të korrikut – një tregues i efektit të menjëhershëm të formalizimit.

Por për Zenunin, kjo është vetëm maja e ajsbergut. “Rreth 34 për qind e tregut të mishit të freskët operon në mënyrë informale. Shumë produkte shiten pa emër, pa markë dhe pa etiketë sigurie – e bën produktin të pagjurmueshëm”, thekson ai.

“Ky informalitet”, përmend eksperti për më tepër, “arrin një invazion fiskal prej 280 milionë eurosh në vit, duke e kthyer sigurinë ushqimore në një problem ekonomik po aq sa shëndetësor”.

Në këtë kuadër, fiskalizimi shihet si mekanizëm komplementar ndaj etiketimit. Që nga 14 korriku, çdo shitje e produkteve bujqësore dhe blegtorale duhet të shoqërohet me faturë tatimore, ndërsa Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar mosfaturimin “rrezik për shëndetin publik dhe shkelje të rëndë ligjore”.

Autoritetet premtojnë se zbatimi i plotë i skemës do t’u sjellë përfitime të qarta bizneseve që respektojnë ligjin – qasje më të lehtë në subvencione, kredi dhe programe zhvillimi – si dhe avantazh në tregjet ndërkombëtare për produktet e certifikuara.

Nga ligjet, te realiteti i tregut

Për të përmbushur standardet e Bashkimit Evropian, Shqipëria duhet të zbatojë rregulloret që kërkojnë deklarimin e origjinës së lëndëve të para në çdo etiketë. Megjithatë, siç vëren Zenuni, “në praktikë kjo mbetet problematike”.

Ai shpjegon se, ndonëse ligji shqiptar për etiketimin (Nr. 434/2018) përcakton qartë detyrimet për informacionin ushqimor – nga përbërësit te data e skadimit – “mungesa e kartave teknologjike dhe dokumentacionit të origjinës e bën gjurmueshmërinë të pamundur”.

Në vendet e BE-së, konsumatori mund të skanojë me celular një kod për të parë fermën, datën e prodhimit dhe vlerësimin ushqimor të produktit. Në Shqipëri, kjo mbetet ende një aspiratë.

Zenuni kujton se “në Gjermani, për shembull, ekziston një sistem Nutri-Score nga 1 në 5 që tregon sa bio është produkti; tek ne ende luftojmë me etiketa që nuk janë as në shqip”.

Një tjetër plagë e tregut është ri-etiketimi i produkteve të importuara. Raste të shumta, si ai i sekuestrimit të një sasie të lartë të mallrave të skaduara në Vorë më herët këtë vit, tregojnë për dobësi të theksuar të kontrollit shtetëror.

“Konsumatorët shqiptarë kanë mbrojtje të kufizuar ndaj mashtrimeve ushqimore dhe ekzistojnë edhe abuzime nga vetë punonjësit që lëshojnë certifikata fitosanitare të falsifikuara”, paralajmëron Zenuni.

Problemi shtohet nga fakti se disa laboratorë joligjorë ofrojnë analiza të paakredituara, duke minuar besueshmërinë e gjithë sistemit të kontrollit. Edhe pse në pikat doganore ekzistojnë struktura të AKU-së, analizat analitike për produktet e importuara nuk kryhen gjithmonë siç e kërkon ligji.

Nga kriza, te standardi

Në thelb, Shqipëria gjendet në një çast tranzicioni të thellë në fushën e sigurisë ushqimore. Nga njëra anë, reformat ligjore si udhëzimi për etiketat e gjurmueshmërisë dhe fiskalizimi i tregut tregojnë përpjekje serioze për formalizim. Nga ana tjetër, realiteti i terrenit mbetet i mbushur me boshllëqe, mungesë kapacitetesh dhe kultura të rrënjosura të moszbatimit.

Zenuni e përmbledh situatën qartë: “Shumica e produkteve tradicionale shqiptare nuk kanë integruar kërkesat e sigurisë ushqimore dhe bizneset nuk janë të regjistruara zyrtarisht nga autoritetet përkatëse”.

Edhe pse Shqipëria ka krijuar kornizën ligjore për mbrojtjen e produkteve me indikacione gjeografike (PGI/PDO), zbatimi i saj praktik është pothuajse inekzistent. Mungesa e autoriteteve të certifikuara për kontroll dhe regjistrim e lë procesin të pambështetur.

Në këtë sfond, etiketimi i ri që hyn në fuqi në vitin 2026 shihet si një test kombëtar për administratën dhe biznesin shqiptar. Ai do të tregojë nëse vendi është realisht gati të ndërtojë një treg të besueshëm, transparent dhe të përafruar me BE-në.

Deri atëherë, sfida mbetet e dyfishtë: të garantohet siguria ushqimore në çdo tavolinë dhe të ndërtohet një kulturë llogaridhënieje që e bën të panevojshme ndërhyrjen pas krizës.

Ky artikull është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit ‘Mbështetje për edukimin mbi sigurinë ushqimore në Shqipëri’, i cili po zbatohet nga Qendra për Ekselencë Destiny dhe Qendra TEAM. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Advertisement