Rajon
Grupi i vrasësve me pagesë në Greqi, zbardhen emrat e shqiptarëve të arrestuar dhe rolet e tyre
Autoritetet greke kanë goditur një grup kriminal shqiptaro-grek, të dyshuar për tentativën e vrasjes së mafiozit grek Jani Lala, ngjarje e ndodhur më 16 maj 2025 në Athinë. Hetimet kanë zbuluar një rrjet të sofistikuar që përdorte kamera të fshehta dhe mjete të blinduara për të ndjekur dhe goditur objektivat.
Në pranga kanë rënë tre shtetas shqiptarë, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Bashkë me ta janë arrestuar edhe tre shtetas grekë, mes tyre një grua.
Të arrestuarit shqiptarë
Dhimitër Meci alias Dimitrios Metsis, 45 vjeç, nga Labova e Poshtme, Gjirokastër;
Andrea Brokeri, 32 vjeç, nga Himara;
Fatjon Prendi alias Fatjion Prendi, 39 vjeç, nga Lezha;
Në kërkim: Vasil Theohari, 31 vjeç, nga fshati Krongj i Finiqit.
Sipas policisë greke, këta persona dyshohen se morën pjesë në atentatin ndaj Jani Lalës, ku automjeti i tij i blinduar u qëllua me rreth 50 plumba, por pa arritur ta godasin.
Dhimitër Meci dyshohet si personi që ka shkrepur armën, ndërsa të tjerët kanë kryer rolet e logjistikës dhe ndjekjes.
Hetimet zbuluan se grupi kishte montuar kamera të fshehta në automjete për të monitoruar 24 orë lëvizjet e viktimës. Një furgon i parkuar përballë karburantit të Lalës kishte një sistem survejimi të instaluar në panelin e kontrollit, përmes të cilit ata përcollën çdo lëvizje të tij para atentatit.
Pas dështimit të parë, grupi tentoi të përsëriste sulmin dy javë më vonë, por plani u zbulua kur një punonjës i karburantit vuri re mjetin e dyshimtë dhe njoftoi policinë, e cila gjeti pajisjet e regjistrimit.
Kush është Dhimitër Meci
45-vjeçari nga Gjirokastra është një emër i njohur për drejtësinë greke, i dënuar më herët për vrasje, grabitje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ai ka qenë i përfshirë në disa atentate mafioze dhe dyshohet për të paktën katër vrasje me pagesë, përfshirë ekzekutimin e Panagiotis Stivas dhe Giorgos Shabbat në vitet 2006–2008.
Në vitin 2012, Meci u identifikua si autor i vrasjes së shqiptar Artin Kato në Peristeri, Athinë, pas një konflikti personal.
Sipas burimeve hetimore, Meci është lidhur ndër vite me emra të njohur të botës së krimit grek, përfshirë Klodian Lekocajn dhe Alfons Ndocin. Ai dyshohet se ka qenë gjithashtu pjesë e planeve për vrasjen e mafiozit grek Manolis Karaflas dhe një drejtuesi të lartë të policisë, ngjarje që mbetën të papërfunduara.
Kush është Fatjon Prendi
39-vjeçari nga Lezha, aktualisht i burgosur në Trikalla, u arrestua më parë si pjesë e një grupi që trafikonte 1.1 ton marijuanë dhe armë. Ai njihet edhe për një ngjarje të përgjakshme në Krioneri në vitin 2012, ku gjatë një grabitjeje u përplas me policinë dhe u plagos një efektiv.
Prendi ka kryer më pak se 10 vite burg, ndërsa në 2017, gjatë qëndrimit në burgun e Domokos, iu gjet një thikë në qeli. Ai konsiderohet mik i ngushtë i Alfons Ndocit, i vrarë vitin e kaluar në një nga burgjet greke.