Connect with us

Shkrime

Dosja e fundit e SPAK dhe zeniti i Altin Dumanit, kur drejtësia shqiptare testoi kufijtë e pushtetit

Nga Klevis Hoxhaj

Në fund të mandatit të tij si drejtues i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani nuk e mbylli ciklin me një fjalim, as me një raport festiv përpara kamerave.

Historia e tij si kryeprokuror special u mbyll me një akt institucional të thatë, por me peshë të jashtëzakonshme politike: një kërkesë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të zëvendës kryeministres në detyrë, Belinda Balluku, shoqëruar me masa sigurie më të ashpra.

Nuk ishte thjesht një dosje tjetër.

Ishte një moment kufitar për shtetin shqiptar – një pikë ku drejtësia dhe pushteti ekzekutiv u përplasën pa ndërmjetës, pa gjuhë diplomatike dhe pa hapësirë kompromisi.

Me një ish zëvendës kryeministër në kërkim ndërkombëtar, Arben Ahmetaj, dhe një tjetër zv. kryeministre nën masa sigurie, dy nga figurat më të larta të goditura ndonjëherë nga sistemi i ri i drejtësisë, SPAK-u nën drejtimin e Dumanit kishte arritur një territor që për dekada ishte konsideruar i paprekshëm.

Ky ishte zeniti i Altin Dumanit – jo në kuptimin e një triumfi ceremonial, por si pika më e lartë e tensionit midis ligjit dhe pushtetit politik në Shqipërinë post-reformë.

Një fund që shpjegon fillimin

Për të kuptuar mandatin e Altin Dumanit, është e nevojshme të nisësh nga fundi. Jo sepse fundi përmbledh gjithçka, por sepse aty bëhet e qartë se çfarë lloj drejtësie u ndërtua gjatë këtyre viteve: një drejtësi që nuk kërkoi konsensus politik për të vepruar dhe nuk u ndal përballë rangut institucional.

Lista e emrave që SPAK-u goditi nën drejtimin e tij nuk është e zakonshme as për vendet me traditë të gjatë shteti ligjor, e jo më për një demokraci të brishtë ballkanike.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj; ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta; ish-kryeministri Sali Berisha; ish zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj; dhe në fund, një zëvendës kryeministre në detyrë.

Emra që për dekada kishin lëvizur në një hapësirë politike ku përgjegjësia penale ishte gjithmonë e shtyrë, e relativizuar ose e deleguar.

Nuk ishte hera e parë që politika shqiptare përballej me hetime penale. Por ishte hera e parë që goditjet nuk dukeshin selektive sipas cikleve elektorale apo balancave të momentit.

Pikërisht këtu nisi edhe përplasja më e fortë me SPAK-un: jo mbi fajësinë konkrete të individëve, por mbi idenë se kush kishte të drejtë të hetonte kë.

Akuzat ndaj Dumanit dhe paradoksi i sulmeve

Figura e Altin Dumanit u bë shpejt objekt sulmesh nga të gjitha anët. Akuzat ishin shpesh kontradiktore, por gjithmonë të zhurmshme.

Kur SPAK-u hetonte figura të opozitës, Dumani akuzohej se ishte instrument i kryeministrit.

Kur hetimet preknin zyrtarë të lartë të qeverisë, pyetja ndryshonte formë, por jo thelb: “Po kryeministri, kur e ka radhën?”

Ky paradoks – të akuzohesh njëkohësisht si i kapur nga pushteti dhe si kërcënim për të – ishte në vetvete një tregues i pozicionit të SPAK-ut në arkitekturën e re institucionale.

Për herë të parë, drejtësia nuk po funksiononte si zgjatim i krizave politike, por si burim i tyre.

Megjithatë, pas retorikës politike fshiheshin realitete shumë më tokësore: mungesa e kapaciteteve logjistike, mbingarkesa e prokurorëve specialë, volumi kolosal i dosjeve hetimore dhe një sistem gjyqësor që shpesh lëvizte më ngadalë se ritmi i hetimeve.

Dosja ndaj Belinda Ballukut kapërcen 10 mijë faqe; ajo ndaj Erion Veliajt mbi 60 mijë.

Seancat paraprake shtyheshin, procedurat zgjateshin dhe presioni publik rritej në mënyrë eksponenciale.

Në këtë kontekst, drejtimi i SPAK-ut nuk ishte thjesht çështje vullneti politik apo integriteti personal.

Ishte menaxhim i një institucioni të ri, nën presion konstant, me pritshmëri publike të paprecedente dhe me një klasë politike që nuk ishte mësuar të jetë objekt hetimi.

Metropoli i ri i drejtësisë

SPAK-u, nën drejtimin e Dumanit, u shndërrua gradualisht në një lloj metropoli institucional – jo për nga madhësia, por për nga simbolika.

Në një shoqëri ku për dekada pandëshkueshmëria ishte norma e heshtur, Struktura e Posaçme filloi të çmitizojë idenë se pushteti politik shkonte përtej ligjit.

Pothuajse si një fantazmë në një qytet që rritej më shpejt se sa kuptonte vetveten, ky metropol i ri i drejtësisë nuk kërkoi të ishte popullor.

Nuk negocioi me narrativat politike dhe nuk prodhoi figura heroike. Prodhimi i tij kryesor ishte një ide e thjeshtë, por radikale për realitetin shqiptar: askush nuk është i paprekshëm dhe askush nuk është mbi interesin publik.

Ndoshta për këtë arsye, SPAK-u u shndërrua edhe në institucionin me besueshmërinë më të lartë në vend, duke konkurruar – dhe në disa matje duke kaluar – edhe aktorë tradicionalisht të besuar si ambasada amerikane.

Akti I: Dy data, një vijë e kuqe

Më 14 shkurt 2025, drejtësia shqiptare u përball me një skenë që deri pak vite më parë do të ishte e paimagjinueshme: gjyqtarë dhe prokurorë të institucioneve të posaçme të rrethuar fizikisht nga një turmë protestuesish, të bllokuar brenda perimetrit të gjykatës, me automjete shoqëruese të qëlluara, të sharë dhe të ofenduar.

Nuk ishte një protestë spontane qytetare. Ishte një demonstrim force politike, i organizuar nga punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe mbështetës të kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj.

Reagimi institucional që pasoi ishte po aq i pazakontë sa vetë episodi.

GJKKO dhe SPAK i drejtuan shkresa zyrtare Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, duke e cilësuar sjelljen e tyre si “të paprecedentë, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin”.

Akuza nuk ishte e mjegullt: apati institucionale, mungesë reagimi dhe dështim për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, në kundërshtim flagrant me detyrimet ligjore.

Në thelb, drejtësia po i thoshte ekzekutivit se kishte dështuar në një nga funksionet më elementare të shtetit: mbrojtjen e rendit kushtetues. Ishte një moment i rrallë kur institucionet e drejtësisë jo vetëm vepronin në mënyrë të pavarur, por e artikulonin publikisht këtë pavarësi si vijë të kuqe.

Në këtë episod, Altin Dumani nuk doli përpara kamerave. Nuk pati deklarata personale, as tone dramatike.

Reagimi ishte institucional, i ftohtë, i argumentuar ligjërisht dhe i adresuar jo publikut, por mekanizmave kushtetues dhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Delegacionin e Bashkimit Evropian.

Ishte një zgjedhje që fliste shumë për mënyrën se si Dumani e konceptonte rolin e tij: jo si figurë publike, por si garant i një strukture që duhej të qëndronte në këmbë edhe nën presion fizik.

Akti II

Dhjetë muaj më vonë, më 14 dhjetor 2025, përplasja u zhvendos nga rruga në majën e pushtetit ekzekutiv.

Këtë herë, konflikti nuk kishte turmë, por fjalë.

Kryeministri Edi Rama reagoi publikisht ndaj një sqarimi zyrtar të SPAK-ut lidhur me paraqitjen e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Kryeministri për ekzekutimin e vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

Gjuha e përdorur ishte e kujdesshme, por mesazhi politik ishte i qartë: një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj asaj që Rama e quajti “mungesë etike profesionale” dhe “simptoma shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re”.

Ishte një kritikë që nuk vinte në dyshim ligjshmërinë formale të veprimit, por autoritetin moral dhe profesional të strukturave hetimore.

SPAK-u u përgjigj, sërish pa emocione.

Sqarimi ishte procedural, kronologjik dhe ligjor: hetuesit kishin respektuar rregullat e sigurisë së institucionit; armët ishin depozituar sipas protokollit; nuk kishte pasur debat apo përplasje.

Në thelb, Prokuroria e Posaçme po refuzonte të hynte në një debat politik mbi etikën, duke e mbajtur diskutimin brenda kufijve të ligjit.

Produkt i Reformës në Drejtësi

Një nga keqkuptimet më të përhapura rreth Altin Dumanit është ideja se ai përbën një përjashtim: një figurë e rrallë integriteti që rastësisht doli në krye të një strukture të re.

Në fakt, Dumani është më pak aksident dhe më shumë provë funksionimi.

Ai është produkt i një arkitekture institucionale që, për herë të parë, hoqi nga duart e politikës kontrollin mbi karrierën e prokurorëve të nivelit të lartë.

Reforma në Drejtësi e vitit 2016 nuk u ndërtua për të prodhuar heronj. Ajo u mendua për të kufizuar dëmin.

Për të fragmentuar pushtetin, për ta ndarë përgjegjësinë dhe për ta bërë më të vështirë kapjen e sistemit.

SPAK-u dhe GJKKO-ja janë shprehja më e pastër e kësaj logjike: institucione me mandat të ngushtë, kompetenca të qarta dhe mbikëqyrje të shumëfishtë.

Në këtë kuptim, Altin Dumani nuk ishte zgjedhja “më e guximshme”, por zgjedhja më e parashikueshme.

Një prokuror me 25 vite eksperiencë, pa precedentë disiplinorë, pa karrierë politike, pa lidhje klienteliste të dukshme dhe me një profil të ulët publik.

Pikërisht ky profil, që në Shqipërinë e vjetër do të shihej si dobësi, në sistemin e ri u shndërrua në avantazh.

Procesi i vetingut ishte filtri i parë real. Para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Dumani kaloi jo thjesht testin formal të pasurisë dhe figurës, por edhe atë simbolik: bindjen e partnerëve ndërkombëtarë se kishin përballë një figurë që nuk kërkonte protagonizëm.

Komenti i vëzhguesit të ONM-së, Theo Jacobs – “është hera e parë që s’kam asnjë pyetje” – nuk ishte kompliment personal. Ishte një akt certifikimi institucional.

Por të qenit produkt i Reformës nuk do të thotë të jesh i mbrojtur prej saj.

Përkundrazi. Sa më shumë që SPAK-u tregonte se funksiononte, aq më shumë rritej presioni për ta normalizuar, relativizuar ose zbutur.

Këtu filloi faza më e vështirë e mandatit të Dumanit: menaxhimi i suksesit.

Kur drejtësia filloi të kushtojë politikisht

Në Shqipëri, korrupsioni ka qenë gjithmonë problem moral; por rrallëherë ka qenë problem penal për nivelet e larta.

SPAK-u ndryshoi këtë ekuilibër. Dhe kur kostoja politike u bë reale – arrestime, masa sigurie, konfiskime pasurie, procedime ndaj figurave kyçe të të dy kampeve – konsensusi fillestar rreth Reformës në Drejtësi nisi të gërryhej.

Kjo u reflektua qartë në ligjin e amnistisë penale të prillit 2024. Një akt i miratuar me konsensus mes mazhorancës dhe opozitës, i cili në praktikë zbuti ndjeshëm efektin ndëshkues të vendimeve të GJKKO-së.

Rreth 100 persona të dënuar nga gjykatat e posaçme përfituan drejtpërdrejt. Mes tyre, funksionarë publikë, gjyqtarë dhe prokurorë të dënuar për korrupsion.

Mesazhi politik ishte i dyfishtë: nga njëra anë, mbështetje deklarative për SPAK-un; nga ana tjetër, ndërhyrje indirekte për të kufizuar pasojat e veprimeve të tij.

Ishte një kujtesë e qartë se Reforma në Drejtësi kishte kufij të padukshëm – dhe se këta kufij nuk përcaktoheshin gjithmonë nga ligji.

Dumani reagoi, sërish, në mënyrën e tij karakteristike: pa polemikë, pa retorikë.

Reagimi erdhi përmes statistikave, raporteve dhe referimeve institucionale. SPAK-u vazhdoi të publikonte shifra për sekuestrime dhe konfiskime – mbi 182 milionë euro asete – duke e zhvendosur debatin nga morali te efekti konkret.

Por edhe këto shifra nuk ishin imune ndaj relativizimit.

Raportet e Komisionit Evropian filluan të përdorin një gjuhë më të matur: “progres i dukshëm”, por “ndikim i kufizuar parandalues”. Mes rreshtave lexohej një shqetësim më i thellë: drejtësia po funksiononte, por politika po mësonte si të bashkëjetonte me të.

Zeniti – dhe çfarë vjen pas tij

Në anketimet publike, SPAK-u renditet si institucioni më i besuar në vend, krah Ambasadës Amerikane.

Ky ishte kulmi simbolik i mandatit të Altin Dumanit. Por pikërisht ky zenit mbart edhe rrezikun më të madh: personalizimin e drejtësisë.

Sa më shumë që besimi publik lidhej me një emër, aq më e brishtë bëhej struktura në mungesë të tij. Mandati i Altin Dumanit si kryeprokuror përfundoi në dhjetor 2025. Dhe një nga boshllëqet më problematike të Reformës në Drejtësi mbetet pikërisht statusi i prokurorëve të SPAK-ut pas përfundimit të mandatit.

Kthimi i tyre në strukturat e mëparshme nuk është thjesht problem karriere. Është problem sinjali institucional.

Çfarë mesazhi u dërgohet prokurorëve të ardhshëm kur kulmi profesional është i përkohshëm, ndërsa pasojat personale janë afatgjata?

Në këtë pikë, Dumani shfaqet sërish si figurë tranzicioni. Jo si njeriu që e përfundoi betejën, por si ai që e bëri të pakthyeshme një fazë të saj.

Ai nuk e zhduku korrupsionin. Nuk e reformoi politikën. Nuk e ndryshoi kulturën brenda natës.

Por bëri diçka më të thjeshtë dhe më të rrezikshme: tregoi se ligji mund të zbatohet edhe kur kushton.

Nën drejtimin e Dumanit, SPAK preku nivele pushteti që deri dje konsideroheshin të paarritshme: ministra në detyrë, ish-kryeministra, ish-presidentë dhe kryebashkiakun e kryeqytetit.

Për herë të parë, përgjegjësia penale nuk ishte më një nocion abstrakt, por një proces konkret.

Altin Dumani nuk ishte fytyra e drejtësisë shqiptare, por momenti i saj: çasti kur pushteti, për herë të parë në historinë moderne të Shqipërisë, u përball me ligjin – dhe ligji nuk u tërhoq.

Advertisement