Politike
Sekuestrimi i vilës së Ballukut në Dhërmi/ Bardhi: SPAK të rikërkojë arrestimin
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi thotë se SPAK duhet të kërkojë sërish arrestimin e Belinda Ballukut, pasi pozita e saj penale është rënduar, duke qenë se dyshohet edhe për veprën penale të korrupsionit dhe të pastrimit të krahave, krahas shkeljes së barazisë në tendera.
Bardhi thotë se e ka paralajmëruar më herët se Balluku ka pasuri të fshehura dhe se e vërteta doli në pah.
Ai kërkon nga SPAK që të zbatojë ligjin dhe t’i drejtohet sërish Kuvendit për t’i hequr imunitetin e deputetes, me qëllim hapjen e rrugës për dhënien e masës së arrestit.
“Më 26 Shkurt në një intervistë në News 24 paralajmëruam se Belinda Balluku ka pasuri të fshehura nga aferat e saj korruptive.
Vetëm në pak muaj SPAK ka dokumentuar 2 pasuri të fshehura në jug të Shqipërisë – 1 vilë 300 m2 për Belinda Ballukun dhe 1 tjetër vilë në pronësi të Sekretares së saj të Përgjithshme.
E vërteta doli!
Në 12 Mars Edi Rama mbrojti korrupsionin e Belinda Ballukut! Të korruptuarit mbrojnë të korruptuarit!
Tani është detyrë e SPAK të rikërkojë arrestimin e Belinda Ballukut, sipas detyrimit që përcakton ligji. Pozita e bashkëpunëtores së ngushtë të Edi Ramës është rënduar me dy akuza të reja: korrupsion dhe pastrim parash. SPAK duhet të zbatojë ligjin, me profesionalizëm dhe guxim. Koha është tani!”- tha Bardhi.