Politike
NOKA PER PROTESTEN: SI NJE LUM I DALE NGA SHTRATI
Sipas tij, pjesëmarrja masive, veçanërisht e të rinjve, i ka dërguar një mesazh të qartë qeverisë se qytetarët refuzojnë të jenë më “të vjedhur, të nëpërkëmbur dhe të shtypur”.
Noka theksoi se kjo protestë dallonte nga të tjerat për shkak të energjisë së paparë qytetare, e cila u derdh në bulevardin kryesor të Tiranës.
Duke përdorur metaforën e një lumi që del nga shtrati, ai deklaroi se protesta ishte një sinjal i fuqishëm për pushtetin. “Kur lumi del nga shtrati, merr përpara gjithçka. Ky sinjal i shkoi narkosit në pushtet,” u shpreh ai. Deputeti demokrat përmendi se zemërimi qytetar ushqehet nga aferat e korrupsionit, si ajo e tunelit të Llogarasë, dhe nga cenimi i sigurisë kombëtare, e cila sipas tij, është lënë në duart e karteleve të drogës. Një element kyç i analizës së Nokës ishte pjesëmarrja masive e të rinjve, të cilën ai e cilësoi si “zemrën e revoltës” dhe shkakun kryesor të panikut në qeveri.
Sipas tij, Edi Rama e di mirë se energjia e rinisë, kur aktivizohet, është e pandalshme dhe nuk mund të frenohet nga asnjë forcë policore. “Të rinjtë janë zgjuar, ata nuk ndalen më. Kjo tregon se në Shqipëri ka shpresë, pasi të rinjtë dhe të rejat kanë vendosur t’i dalin për zot vendit të tyre,” shtoi ai. Lidhur me reagimin e autoriteteve, të cilat u përgjigjën me dhunë dhe shoqërime në komisariate, Noka argumentoi se kjo është sjellja tipike e një regjimi në grahmat e fundit.
Ai pohoi se ndryshe nga demokracitë funksionale ku protesta është një e drejtë normale, në “narko-regjime” ajo shihet si një kërcënim që duhet shtypur me terror. Megjithatë, ai theksoi se asnjë nga protestuesit e arrestuar, përfshirë të rinj e minorenë, nuk është frikësuar.
“Ata janë me moral të çeliktë. Në çdo qeli ushton thirrja ‘Rama ik, qeveri teknike’,” përfundoi Noka, duke e interpretuar reagimin e ashpër të qeverisë si një shenjë dobësie dhe frike nga fundi i afërt.
Noka:
Dje një lum njerëzor vërshoi në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe rrugët e Tiranës. Dje një energji e paparë njerëzore shpërtheu në formë revolte ndaj narko-regjimit dhe kusarëve të pushtetit. Dje qytetarët e vendit, opozitarët e këtij vendi, treguan se refuzojnë të pranojnë dhe të qëndrojnë më të vjedhur, të nëpërkëmbur dhe të shtypur. Dje ata shfryen një revoltë. I treguan se kur lumi fillon dhe vërshon furishëm dhe kur del sadopak, jep shenja që po del nga shtrati, ai merr përpara gjithçka.
Pra, ky sinjal dje i shkoi narkosit në pushtet. Qytetarët e vendit të tij i ndihen të vjedhur. Aferat e korrupsionit që kanë shpërthyer tek dosja e tunelit të Llogarasë, ku përfshihet dyshja Rama-Balluku, nuk pranohen dot nga qytetarët të gëlltiten më. Dje qytetarët e këtij vendi vërshuan si një uragan sepse ata nuk mund të pranojnë që siguria kombëtare të ndodhet dhe të lihet në duart e Gys Agasit dhe të karteleve të drogës.
Dje ata vërshuan për një Shqipëri europiane dhe jo për Shqipërinë, narkoshteti i vetëm i Europës. E përsëris, lumi njerëzor, energjia njerëzore, dje vërshoi dhe vetëm sa dha një sinjal që po del nga shtrati. Dhe ne e dimë tashmë të gjithë, lumenjtë kur dalin nga shtrati, marrin përpara gjithçka. Ndaj edhe i dhanë një mesazh shumë të qartë narkosit. Ndaj dhe ai sot reagoi i tërbuar, i nervozuar, në kufijtë e çmendurisë, që s’mund të reagojë kurrë një drejtues i një shteti apo edhe një lider, në çfarëdo niveli qoftë. Pra, paniku i ka mbërthyer. Shqiptarët janë zgjuar dhe shqiptarët dje dhanë një mesazh të qartë që largohu, hapi rrugë zgjidhjes politike, sepse kjo llavë vullkani që po shpërthen, do të djegë. Qartë. Dhe do të djegë, do të djegë më shumë nga të gjithë, do të djegë ata që i dalin përpara kësaj dhe po përpiqen të jenë barrikadë e krimit, e karteleve dhe e korrupsionit në pushtet.
Eneida, të falenderoj jashtëzakonisht shumë. Pse? Ke pikasur, ke kapur një pikë shumë interesante të protestës së djeshmë. Dje kryesisht ky lum njerëzor përbëhej nga të rinj, si rrallë ndonjëherë.
Dhe ndaj Edi Rama ndjen panik. Pse? Sepse ai e di shumë mirë që kur rinia fillon dhe lëviz, kur rinia fillon dhe përcjell mesazhin e revoltës, ata janë të pandalshëm. Energjia e tyre nuk përballohet dot nga asnjë forcë policore apo çfarëdo lloj pushteti qoftë, formë e pushtetit qoftë. Ata e dinë shumë mirë. Dhe Edi Rama e di shumë mirë këtë, sepse dy herë që rinia ka lëvizur, ai s’ka lënë gurë pa lëvizur, s’ka lënë përpjekje pa bërë për t’i ndaluar dhe për t’i frenuar, sepse e di që s’përballet dot.
Dhe e veçanta e ditës së djeshmë, e kësaj revolte ishte që rinia ishte në ballë, rinia i priu dhe rinia ishte zemra e saj. Ky është një mesazh shumë i qartë për shqiptarët që këtu ka shpresë dhe bijtë e bijat e këtij vendi, të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, më në fund kanë vendosur t’i dalin për zot vendit të tyre dhe të mos e lënë më këtë vend të rrokulliset në thepat e honeve të krimit dhe të korrupsionit shqiptar. Kjo për ne është lajm dhe për çdo shqiptar është lajm shumë i gëzueshëm. Sigurisht për narkosin dhe për plaçkitësit kusarë të qeverisë që janë në panik të tmerrshëm, është lajmi më i keq. Të rinjtë janë zgjuar, ata nuk ndalen më.
Në një demokraci funksionale, protestat dhe demonstratat monitorohen nga forcat ligjzbatuese dhe përcillen me një qetësi. Pse? Sepse në demokraci e drejta për të protestuar, për të shprehur indinjata, revolta, pakënaqësi, është tërësisht normale, madje ajo është, është një nga elementët më virtuoz që demokracitë kanë brenda tyre. Por, në narkoregjime paniku është shumë i madh kur shohin që ai lum njerëzish po kthehet, kthehet në një llavë, e shohin si një llavë vullkani që i djeg dhe i merr përpara. Të jeni të sigurtë për një gjë, ju e patë. Të rinjtë nuk stepeshin.
Paniku që mbërtheu narkosin në pushtet, bëri që ata të ushtrojnë terror dhe dhunë. Po askush nuk u ndal, askush nuk u step. Sot gjatë gjithë ditës avokatët tanë dhe ne kemi kontaktuar me çdonjërin prej të arrestuarve. Ata janë me moral të çeliktë. Në çdo qeli sot ku janë kontaktuar ushtonte thirrja ‘Rama ik, qeveri teknike’. Çka do të thotë që rinia nuk mbahet kurrë me dhunë. Qytetarët e lirë të një vendi kurrë nuk mbahen me dhunë. Narkoregjimet, edhe në përgjithësi regjimet, kur janë në grahmat e fundit, ata përpiqen të ushtrojnë dhunën më të madhe dhe terrorin më të madh. Por ama, dje u kuptua qartë nga çdokush, janë në grahmat e fundit. Ato që bën, duke dhunuar dhe arrestuar të rinj, të reja, minorenë, zonja, ajo tregon që këta po i ndjejnë fundin.