Bota
Italia e paralizuar në transport, Meloni nxjerr paketën e emergjencës
Pas disa ditësh bllokadash dhe vështirësish në transport, qeveria italiane ka prezantuar një paketë masash financiare për të mbështetur sektorët e prekur nga rritja e çmimeve të karburantit. Kryeministrja Giorgia Meloni njoftoi, pas mbledhjes së qeverisë, një ligj emergjent që parashikon ndihmë për transportin, bujqësinë dhe peshkimin, ndërsa paralelisht kërkoi rikthimin e qarkullimit normal të mallrave.
Meloni deklaroi se i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, t’u përgjigjet kërkesave të shoqatave që përfaqësojnë transportuesit, fermerët dhe shpërndarësit. Sipas saj, synimi është të garantohet lëvizja e lirë e mallrave dhe furnizimi i bizneseve e qytetarëve, si dhe të shmangen spekulimet me çmimet që mund të shkaktohen nga ndërprerjet e furnizimit.
Pjesë e paketës janë 60 milionë euro për një grant të pakthyeshëm që mbulon kostot e naftës bujqësore. Sipas kryeministres, kjo masë pritet të mundësojë një ulje deri në 45 centë për litër për më shumë se 120 milionë litra karburant. Qeveria ka parashikuar gjithashtu 10 milionë euro mbështetje për sektorin e peshkimit, ku operatorët po përballen me vështirësi për shkak të kostove të larta.
Krahas masave financiare, Meloni paralajmëroi se transportuesit që vazhdojnë të bllokojnë rrugët ose kërcënojnë kolegët që nuk marrin pjesë në protesta do të përballen me drejtësinë. Ajo tha se qeveria është e gatshme të dëgjojë protestat paqësore dhe të ofrojë zgjidhje konkrete, por kërkoi që të mos pengohet qarkullimi dhe puna e sektorëve të tjerë.
Greva dhe protestat nisën pas rritjes së çmimeve të karburantit dhe pakënaqësisë së operatorëve ndaj nivelit të mbështetjes nga qeveria. Bllokadat në jug të Italisë kanë shkaktuar radhë të gjata automjetesh dhe kanë vështirësuar transportin e produkteve ushqimore dhe farmaceutike. Probleme janë raportuar edhe në disa aeroporte të jugut, ku vështirësitë në furnizimin me karburant për avionët kanë detyruar kompanitë të shqyrtojnë furnizimin në aeroporte të tjera.
Ndërkohë, çmimi mesatar i naftës në autostrada ka arritur në 2 euro e 30 centë për litër, nga 2 euro e 29 centë një ditë më parë. Me paketën e re financiare, qeveria synon të lehtësojë kostot për sektorët e prekur dhe të rikthejë normalitetin në furnizimin dhe transportin e mallrave.