Kosova
Fjalim në Capitol Hill/ Kreu i AAK Ramush Haradinaj në Kongresin Amerikan
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e Kosovës në NATO gjatë një vizite në Kongresin amerikan.
Në një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions, Haradinaj theksoi se Kosova është e gatshme të bëhet pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe të kontribuojë në angazhimet globale të saj.
“Ne jemi të gatshëm të bëhemi anëtar i NATO-s. Jemi krenarë për historinë tonë, për atë që kemi kaluar dhe për vendin ku ndodhemi sot. Besoj se Kosova është e përgatitur t’u bashkohet Shteteve të Bashkuara në angazhimet e tyre globale, përfshirë edhe anëtarësimin në NATO”, ka deklaruar Haradinaj në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Ai shtoi se, pavarësisht madhësisë së saj, Kosova e sheh NATO-n si kornizë thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin rajonal. “Ne jemi të vegjël, por NATO është aty”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj po qëndron në SHBA si i ftuar në aktivitetin tradicional “Lutjet e Mëngjesit”, ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është bërë e ditur se ai pritet të mbajë edhe një fjalim në Capitol Hill, ku do të adresojë çështjet e sigurisë dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.