“Ne nuk mund t’ua delegojmë vetëm prindërve këtë përgjegjësi- dhe shpesh edhe presionin për të vendosur nëse në moshën 12-vjeçare, është ide e mirë apo e keqe t’ia dorëzosh praktikisht trurin platformave,” pohoi ai. Presidenti francez e cilësoi kufizimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç si një masë thelbësore për mbrojtjen e tyre, duke theksuar se bëhet fjalë jo vetëm për edukim, por për shëndetin mendor dhe emocional të brezave të rinj.
Në këtë kuadër, Macron bëri të ditur se i ka kërkuar qeverisë së tij të përdorë një procedurë të përshpejtuar legjislative, me synimin që projektligji të miratohet nga Parlamenti dhe Senati deri në fillim të vitit të ardhshëm shkollor, në shtator. “Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje. Emocionet e tyre nuk janë në shitje dhe as për t’u manipuluar – as nga platformat amerikane, as nga algoritmet kineze,” u shpreh ai. Autoritetet duan që masat të hyjnë në fuqi në fillim të vitit shkollor 2026 për llogaritë e reja. Franca do të ishte vendi i dytë që do të vendoste një ndalim të tillë, pasi Australia kohët e fundit ndaloi mediat sociale për ata nën 16 vjeç.
