Rajon
Vrasja e 17-vjeçarit shqiptar në Greqi/ Si përballja mes të miturve përfundoi në tragjedi
Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 17-vjeçarit shqiptar Aleks Vangjeli dhe plagosja e një 19-vjeçari në Greqi. Siç u raportua, vëllai i 17-vjeçarit e dërgoi të miturin në spital, por ai fatkeqësisht kishte ndërruar jetë, si pasojë e një goditjeje me thikë në zonën e kraharorit.
Ndërkohë, 19-vjeçari mik i 17-vjeçarit, u dërgua gjithashtu në të njëjtin spital me plagë nga thika dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Sipas mediave greke, 19-vjeçari i plagosur i ka treguar policisë, se si u sulmua ai dhe shoku i tij nga i njëjti person, një 17-vjeçar.
Ndërsa, nëna e të miturit që është identifikuar si autor nga 19-vjeçari ndodhet në komisariat dhe po jep dëshminë. Gjithashtu sipas raportimeve, grupi i viktimës ishte takuar me grupin e autorit të dyshuar për të “zgjidhur” një vjedhje që kishte ndodhur disa kohë më parë, pa u sqaruar ende roli i secilit në këtë çështje.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për gjithsej pesë persona të përfshirë në konflikt. Një mjek nga Spitali i Korinthit deklaroi se, sipas vlerësimit të kolegëve të tij, 17-vjeçari kishte ndërruar jetë disa orë para se të transportohej në spital. Ai kishte një plagë pranë zemrës, ndërsa mjeku theksoi se përgjigjet përfundimtare do të jepen nga ekzaminimi mjeko-ligjor.