Shkrime
NYJE ZJARRI NE KRIZEN E NGUSHTICES SE HORMUZIT
Nga Red Varaku
Në vitin 2011, gjatë garës për primaret presidenciale në SHBA, Newt Gingrich u përball me një pyetje hipotetike: çfarë do të bënte Amerika nëse Irani do të bllokonte Ngushticën e Hormuzit?
Përgjigja e tij nuk ishte thjesht taktike, por thellësisht politike. Ai sugjeroi se vetë ideja që Teherani mund të konsideronte një veprim të tillë ishte dëshmi e një rënieje të perceptuar të autoritetit amerikan dhe ia faturoi këtë si dështim politikave të Barack Obamës.
Më shumë se një dekadë më vonë, ajo që dikur dukej si retorikë elektorale po afrohet rrezikshëm me realitetin.
Raportimet e fundit nga mediat ndërkombëtare sugjerojnë se një tërheqje e mundshme amerikane nga një përplasje e drejtpërdrejtë me Iranin mund të shpallet në orët në vijim.
Nëse kjo ndodh, implikimet shkojnë përtej çdo llogaritjeje taktike afatshkurtër. Në qendër të krizës qëndron Ngushtica e Hormuzit, arteria jetike për tregtinë globale të energjisë, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimit botëror me naftë.
Një bllokim i kësaj rruge nuk do të ishte vetëm një krizë rajonale. Do të përfaqësonte një sfidë direkte ndaj aftësisë së Shteteve të Bashkuara për të garantuar lirinë e lundrimit një nga shtyllat themelore të rendit ndërkombëtar pas Lufta e Dytë Botërore.
Por ndoshta më shqetësuese se vetë bllokimi është një skenar tjetër, paaftësia dhe pafuqia për ta zhbllokuar atë.
Një dështim i tillë do të kishte pasoja të thella në disa nivele.
Strategjikisht, ai do të vinte në pikëpyetje besueshmërinë e garancive amerikane ndaj aleatëve në Gjirin Persik dhe më gjerë.
Ekonomikisht, do të trondiste tregjet globale të energjisë, duke rritur çmimet dhe duke ushqyer pasigurinë në një ekonomi botërore tashmë të brishtë.
Politikisht, do të sinjalizonte një ndryshim të balancës së fuqisë në favor të aktorëve që janë të gatshëm të sfidojnë hapur status quo-në.
Në këtë kontekst, çështja nuk është më nëse një krizë e tillë mund të ndodhë sepse ajo është ulur këmbëkryq në Lindjen e Mesme. Pyetja reale është nëse Uashingtoni është ende në gjendje të imponojë një zgjidhje apo nëse bota po hyn në një epokë ku edhe nyjet më kritike të sistemit global mund të mbeten jashtë kontrollit të tij.