Politike
Sundimi i ligjit/ Strasburgu shton kërkesat për vendet kandidate, kërkon më shumë vëmendje
Parlamenti Evropian ka mirëpritur përfshirjen e kapitujve të veçantë për Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në raportin e Komisionit Evropian për sundimin e ligjit për vitin 2025.
Në raport, eurodeputetët i bëjnë thirrje Komisionit që në të ardhmen të zgjerojë shtrirjen gjeografike të këtij dokumenti për të përfshirë të gjitha vendet kandidate dhe potencialisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e kthyer atë në një instrument më të plotë monitorimi.
Sipas Parlamentit Evropian, raportet duhet të përmbajnë rekomandime konkrete dhe të matshme, me qëllim mbështetjen e reformave dhe garantimin që standardet e sundimit të ligjit të mos dobësohen pas anëtarësimit në BE.
Dokumenti thekson se sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave themelore dhe funksionimi i institucioneve demokratike janë elementë themelorë të procesit të zgjerimit, duke kërkuar progres të qëndrueshëm dhe rezultate të prekshme nga vendet aspirante.
Në të njëjtën kohë, raporti vë në dukje se Bashkimi Evropian përballet ende me sfida të brendshme, përfshirë dobësi strukturore në sistemet gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe garantimin e balancës së pushteteve në disa shtete anëtare.
Eurodeputetët nënvizojnë gjithashtu se besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga zbatimi strikt i kritereve të Kopenhagës, veçanërisht në aspektin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pa kompromis apo interpretim pas anëtarësimit.
Raporti evidenton edhe sfida më të gjera, si përhapja e dezinformimit, presionet mbi median dhe rreziqet që lidhen me zhvillimet digjitale dhe inteligjencën artificiale, të cilat mund të ndikojnë në cilësinë e demokracisë dhe të drejtave themelore në Evropë.
Në këtë kuadër, Parlamenti Evropian kërkon një qasje më të fortë dhe më të koordinuar nga institucionet e BE-së, duke përfshirë një cikël vjetor më të strukturuar monitorimi dhe një lidhje më të drejtpërdrejtë mes respektimit të sundimit të ligjit dhe qasjes në fondet e Bashkimit Evropian.