Kronike
OPERACIONI ANTIDROGE, 15 TE ARRESTUAR
Pas tre muajsh hetime intensive, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Final”, duke goditur disa grupe kriminale të përfshira në shitjen e lëndëve narkotike.
Nga hetimet janë identifikuar 36 shtetas, të cilët vepronin individualisht ose në grupe për shpërndarjen e drogës së llojeve të ndryshme në kryeqytet. Si rezultat, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për 15 persona, ndërsa 16 të tjerë janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Gjatë periudhës hetimore janë vënë në pranga edhe 5 shtetas të tjerë, të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Në kuadër të operacionit janë sekuestruar 60.3 kg kanabis, 2.05 kg kokainë, 4 armë (një pistoletë dhe tre armë gjahu), si dhe shuma të konsiderueshme parash: 121 mijë euro, 60 milionë lekë dhe 5000 paundë.
Gjithashtu, Policia ka sekuestruar 14 celularë, peshore elektronike dhe 3 automjete që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
Kontrollet janë ushtruar si ndaj personave të arrestuar, ashtu edhe në banesat e tyre, ku janë gjetur dhe provat materiale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.