Connect with us

Kosova

AFRIMI/ ARMENIA DREJT NJOHJES SE KOSOVES

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, ka pritur të dielen kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan, duke reflektuar një vullnet të shtuar për avancimin e marrëdhënieve bilaterale shtetërore, pavarësisht se Armenia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Kryeministri Pashinyan mirëpriti vizitën e zotit Kurti në Armeni, duke sjellë në vëmendje takimet dhe diskutimet e tyre të mëparshme. Kryeministri Pashinyan theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së dialogut dhe hapave që synojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Armenisë.
Armenia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kryesisht për shkak të pretendimeve të veta territoriale dhe marrëdhënieve tradicionalisht të ngushta me Serbinë dhe Rusinë. Megjithatë, vitet e fundit është vërejtur një zbutje e dukshme, sidomos pas vendimit të qeverisë armene në dhjetor të vitit 2024 për njohjen e pasaportave të Kosovës.
Një kontigjent prej dhjetëra trupash i ushtrisë së Armenisë, gjithashtu, shërben në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcës së NATO-s – KFOR, duke e bërë shtetin armen një nga kontribuesit më të mëdhenj jo-anëtarë të NATO-s në KFOR.
Jerevani ka refuzuar njohjen për shkak të frikës që buron nga legjitimimi i shkëputjes së Abkhazisë apo Osetisë së Jugut, dhe veçanërisht për të mbrojtur pozicionin e saj në konfliktin e Nagorno-Karabakhut. Megjithatë, pesha e këtij argumenti ka ndryshuar pas ngjarjeve dramatike të vitit 2023, kur Azerbajxhani “fitoi” në Artsakh.
Kthesa e Armenisë është e lidhur ngushtë edhe me ndikimin në rritje të Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë në rajonin e Kaukazit Jugor. Uashingtoni ka shtyrë qeverinë armene drejt reformave demokratike dhe diversifikimit të aleancave, ndërsa normalizimi i raporteve me Ankaranë ka krijuar kushtet për rirreshtimin e Jerevanit.
Megjithatë, lëvizja e Jerevanit drejt aleatëve euro-atlantikë vazhdon të jetë komplekse, duke qenë se shteti armen vazhdon të jetë nën presion nga Rusia. Moska është partneri kryesor tregtar i Armenisë, përfshirë i sigurisë, ngase rusët janë prezentë përmes Bazës së 102-të në qytetin e Gyumrit – simbol i influencës së Rusisë në Kaukazin Jugor.

Advertisement