Bota
DETAJE/ VJEDHJA SHKAKTON 6 VIKTIMA NE ATHINE
Një vjedhje tubash bakri dyshohet se qëndron pas një prej tragjedive më të rënda të muajve të fundit në Athinë. Gjashtë njerëz humbën jetën, mes tyre tre me origjinë shqiptare, ndërsa hetimet kanë zbuluar se shpërthimi që shkatërroi një ndërtesë në lagjen historike Plaka mund të ishte shkaktuar nga ndërhyrja e tre personave në sistemin e furnizimit me gaz.
Pas 34 ditësh hetime, autoritetet greke kanë arrestuar tre të dyshuar: një shqiptar 34-vjeçar dhe dy shtetas grekë, 37 dhe 55 vjeç.
Sipas hetuesve, rreth orës 02:00 të mëngjesit të 25 shtatorit, personat e dyshuar hynë në ndërtesë për të vjedhur tuba bakri. Gjatë përpjekjes për t’i shkëputur, dyshohet se dëmtuan instalimin e gazit natyror, duke shkaktuar një rrjedhje që vazhdoi për disa orë.
Rreth orës 07:30, sipas rindërtimit të ngjarjes, një grua e moshuar ndezi dritën në banesën e saj. Shkëndija elektrike dyshohet se ndezi gazin e grumbulluar, duke shkaktuar shpërthimin shkatërrues.
PROVA QË NDRYSHOI DREJTIMIN E HETIMEVE
Ekspertët e Universitetit Politeknik Kombëtar të Athinës analizuan një tub të dëmtuar dhe zbuluan gjurmë që, sipas hetuesve, tregonin ndërhyrje mekanike përpara shpërthimit.
Pamjet e kamerave të sigurisë ndihmuan më pas në identifikimin e tre personave të dyshuar.
Mes gjashtë viktimave ishin Florin Hoxha, motra e tij Florida Hoxha dhe Eris Cani, të tre me origjinë shqiptare dhe shtetësi amerikane. Bashkë me ta humbi jetën edhe Ian Alexander Kirkpatrick, si dhe çifti i moshuar Athina Papareskou dhe Edmond Hings.
Një tjetër detaj tronditës është publikuar nga televizioni publik grek: një furgon shkollor me 12 nxënës kishte kaluar pranë ndërtesës vetëm pak sekonda përpara shpërthimit. Disa prej mbetjeve goditën automjetin, por fëmijët shpëtuan pa lëndime fizike.
Ndaj tre të arrestuarve janë ngritur akuza të rënda penale, përfshirë vrasjen me dashje eventuale dhe shkaktimin e shpërthimit me pasoja fatale. Përgjegjësia e tyre përfundimtare do të përcaktohet nga drejtësia greke.
Një tragjedi që nisi, sipas dyshimeve të hetimit, nga përpjekja për të vjedhur bakër dhe përfundoi me gjashtë jetë të humbura, duke lënë pas familje të shkatërruara dhe pyetje të rënda për sigurinë e instalimeve të gazit.