Aktualitet
Aksidenti tragjik në Durrës, reagon shkolla ku mësonin tre të miturit: Humbje e rëndë për gjithë komunitetin
Mbetet ende e freskët dhimbja për humbjen e jetës së dy të miturve ditën e djeshme për shkak të një aksidenti, teksa një tjetër i mitur ndodhet në spital fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Paraditen e sotme, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar shkolla “Demokracia”, të cilën e frekuentonin tre të miturit.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të dy nxënësve të mitur, të cilët u ndanë nga jeta në mënyrë të padrejtë dhe të parakohshme.
Kjo është një humbje e rëndë jo vetëm për familjet e tyre, por për gjithë komunitetin, shkollën dhe këdo që pati fatin t’i njihte. Në këto momente të vështira, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve.
Fjalët janë të pakta për të përshkruar dhimbjen, por lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë tragjedi të madhe. Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat tona! U prehshin në paqe”, shkruan shkolla “Demokracia”.
Dhe teksa ditën e sotme pritet të përcillen në banesën e fundit dy të miturit që humben jetën tragjikisht, Nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu ka shkuar pranë familjeve, ndërsa ngushëllime pranë familjeve ka bërë dhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Lefter Koka.