Shkrime
“Krim lufte” në fjalime, biznes në heshtje, Erdogan ushqen Izraelin me naftë për furnizimin e ushtrisë
Shkruar nga Ken Silverstein
Në COP28 (Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike) në Dubai, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dënoi fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza si një “krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit”. Ai bëri thirrje për ndjekje penale dhe u kërkoi vendeve myslimane ta izolojnë Izraelin.
Ndërkohë, nafta nga Azerbajxhani rrjedh përmes një tubacioni që përfundon në një port turk. Ajo ngarkohej në anije cisterna dhe lundronte direkt në rafineritë izraelite. Studiuesit kanë dokumentuar se nafta po përpunohet për të njëjtët avionë luftarakë F-35 Lightning II që kryejnë sulmet që Erdogan i ka dënuar.
Turqia vendos një taksë për çdo fuçi për këtë raporton Forbes.
Kjo është historia. Jo retorikë, por një tubacion. Është e vështirë të shpjegohet se si presidenti turk mund ta pajtojë një mënyrë të tillë të të menduarit. Në fakt, energjia, tregtia e armëve dhe politika e brendshme përplasen brenda njërit prej anëtarëve më të trazuar të NATO-s.
“Erdogani nuk mund të mbështetet në një performancë të fortë ekonomike. Qytetarët turq e përçmojnë mënyrën e tij të qeverisjes”, tha Sinan Ciddi, një bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.
“Ai po e shpërqendron veten duke gjetur një armik të jashtëm, megjithëse është e vështirë të vlerësohet se sa shumë qytetarët e tij do ta pranojnë këtë shpërqendrim. E tëra çfarë po bën është të përdorë retorikë të ashpër. Ai nuk po mbyll hapësirën ajrore, nuk po ndalon dërgesat e naftës dhe as nuk po prish pjesën tjetër të tregtisë.”
Eksportet turke në Izrael arritën në gati 400 milionë dollarë në pesë muajt e parë të vitit 2025, ndërsa Turqia mbeti një nga furnizuesit kryesorë të Izraelit, duke u renditur i pesti në vitin 2024 pavarësisht embargos zyrtare.
Më domethënëse, për gati dy dekada, Azerbajxhani furnizoi rreth 40% të konsumit vjetor të naftës bruto të Izraelit përmes tubacionit Baku-Tbilisi-Ceyhan, i cili shkon nga Deti Kaspik përmes Gjeorgjisë në një port turk mesdhetar, nga ku nafta dërgohet në Izrael. Në janar 2024, Izraeli ishte blerësi më i madh i naftës azerbajxhane. Ata importuan 523,500 ton me vlerë 297 milionë dollarë vetëm atë muaj.
Deri në shtator 2024, shumë kohë pasi Erdogan shpalli një embargo tregtare kundër Izraelit, eksportet azerbajxhane në Izrael u rritën në 2.37 milionë ton vetëm atë muaj. Kjo është një rritje katërfish që nga fillimi i luftës në Gaza.
Embargoja që nuk ishte
Kur Erdogan njoftoi embargon tregtare në maj 2024, studiues nga organizata të shumta ndoqën lëvizjet e cisternave dhe përcaktuan se dërgesat vazhdonin. Një cisternë bëri 10 udhëtime të dokumentuara midis një terminali turk dhe një porti izraelit. Tetë pas shpalljes së embargos.
Anijet i fikën pajisjet e tyre të sinjalizimit në Mesdheun lindor dhe falsifikuan dokumentacionin. Ato e renditën Egjiptin si destinacion, por zbarkuan në Izrael. Ministria e energjisë e Turqisë pretendoi se nuk kishte kontroll mbi destinacionin përfundimtar të naftës. Ata përmendën një marrëveshje të vitit 1999 që e detyron ligjërisht Turqinë të mbajë tubacionin në funksion pavarësisht konflikteve rajonale.Është një alibi ligjore. Realiteti strategjik është edhe më tregues.
Izraeli është një nga furnizuesit kryesorë të armëve për Azerbajxhanin. Këto përfshijnë dronë luftarakë, artileri me rreze të gjatë veprimi dhe një sistem raketash kundërajrore me vlerë 1.2 miliardë dollarë. Dronët izraelitë ishin vendimtarë në fitoren e Azerbajxhanit ndaj Armenisë në vitin 2020. Gjithashtu, kompania shtetërore e naftës e Azerbajxhanit mori së fundmi një licencë për të eksploruar për gaz në ujërat mesdhetare të Izraelit. Marrëdhënia midis dy vendeve është përshkruar si “më e qëndrueshme” që Izraeli ka me çdo vend mysliman.
Azerbajxhani është gjithashtu aleati më i ngushtë etnik dhe politik i Turqisë. Erdogan nuk mund të ushtrojë presion mbi Azerbajxhanin pa dëmtuar atë marrëdhënie dhe pa prishur bashkëpunimin ushtarako-industrial nga i cili varet Baku. Mbyllja e tubacionit do të godiste aleatin më të rëndësishëm të Turqisë, jo fuqinë ushtarake të Izraelit.
Trekëndëshi duket kështu: Nafta azerbajxhanase shkon në Izrael nëpërmjet Turqisë. Armët izraelite kthehen në Azerbajxhan. Turqia vendos një taksë tranziti dhe Erdogan e dënon të gjithë marrëveshjen në fjalime.
Sinan Ciddinga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive flet hapur për situatën reale. Ai thekson se Turqia vuan nga inflacion jashtëzakonisht i lartë, papunësi dhe varfëri.
“Azerbajxhani u përpoq të ndërmjetësonte midis Izraelit dhe Turqisë. Nuk mund ta bëjë Erdoganin të zbutë retorikën. Të gjithë mbyllin sytë dhe vazhdojnë përpara. Erdogani e urren Izraelin. Tani ai po përpiqet t’i bindë qytetarët se Izraeli, pas Iranit, ka në shënjestër Turqinë. Ai jeton në një botë kontradiktash sepse si ai ashtu edhe të gjithë në rrjetin e tij të patronazhit përfitojnë nga kjo marrëdhënie.”
Presidenti nën presion
Kthimi prapa i Erdoganit u bë i dukshëm në mars të vitit 2025. Qeveria e tij arrestoi kryetarin e bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivalin e tij më të fortë politik vetëm disa ditë para se ai të emërohej zyrtarisht si kandidat presidencial i opozitës. Protestat më të mëdha në rrugë në Turqi në më shumë se një dekadë kanë shpërthyer. Përgjigja e Erdoganit ishte intensifikim i mëtejshëm i retorikës anti-izraelite.
“Është një shembull i përsosur i situatës së dëshpëruar të Erdoganit”, shpjegon Sidi.
Hipokrizia shtrihet në shumë drejtime. Ndërsa dënon operacionet ushtarake izraelite, Erdogan ka zhvilluar fushata të vazhdueshme ushtarake ndërkufitare kundër forcave kurde në Irak dhe Siri. Kjo çoi në zhvendosjen e dhjetëra mijëra civilëve.
Sulmet ajrore turke vranë 12 persona brenda një dite në tetor 2024. Kundërshtari i tyre? Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA-të, të udhëhequra nga kurdët dhe një partner kyç në luftën kundër ISIS-it. Logjika që përdor Erdogan, lufta kundër terrorizmit dhe siguria kombëtare, të kujton arsyetimin që jep Izraeli për Gazën.
Vetëm objektivi dhe audienca ndryshojnë.
Disa analistë argumentojnë se Erdogan po përpiqet të gjejë një ekuilibër midis kufizimeve të pamundura. Burak Kadercan, profesor i strategjisë në Kolegjin e Luftës Detare, e përshkruan qasjen e tij si një përpjekje për të “arritur një ekuilibër midis politikës së brendshme dhe realpolitikës në skenën ndërkombëtare”.
Megjithatë, Turqia është anëtare e NATO-s dhe ndërmjetësi nuk e quan udhëheqësin e palës tjetër “kasapin e Gazës” dhe as nuk kërkon një gjyq në Hagë. Gjithashtu, një negociator i vërtetë nuk e fut në burg politikanin më të popullarizuar demokratik në vend, të njëjtën javë që ai dënon dhunën autoritare jashtë vendit.
Madje edhe zëvendësambasadori turk thuhet se i pranoi zyrtarëve izraelitë se retorika e ashpër e Erdoganit “buron nga llogaritjet e tij politike”.
Tubacioni Baku-Tbilisi-Ceyhan mund të jetë infrastrukturë, por ai hedh një dritë të keqe mbi një kryetar shteti i cili ka ndërtuar një imazh mbi zemërimin moral, ndërsa njëkohësisht vendos tarifa për tranzitin e mallrave që ai i dënon. Mbijetesa politike e Erdoganit varet nga votuesit që injorojnë kontradiktat e dukshme midis retorikës dhe veprimeve të tij.
Zyrtarët turq kohët e fundit e kanë ashpërsuar më tej retorikën e tyre në lidhje me sulmet izraelite ndaj Hezbollahut në Liban. Ata aluduan për mundësinë e një përballjeje ushtarake. Një diskurs i tillë mund të ketë jehonë në qarqe të caktuara, por është problematik për aleatët e SHBA-së. Megjithatë, ashtu si në retorikën e Erdoganit për Gazën, kërcënimet janë më të mëdha se realiteti. Nafta ende rrjedh, tregtia vazhdon dhe marrëdhëniet themelore mbeten të paprekura.
“Erdogani ka një marrëdhënie të dyfishtë me NATO-n. Njësoj si me Izraelin”, thotë profesor Sidi.
“Turqia i mundëson makinës ruse të luftës të funksionojë. Erdoganit i pëlqen të qëndrojë në të dyja kampet, gjë që është problem për aleatët. E gjitha është thellësisht hipokrite dhe kontradiktore, por atij i duhen tregti dhe fitime.”
Fjalimet nuk kushtojnë asgjë. Tubacioni sjell para. Nuk është një kontradiktë, është një strategji. Dhe është një lojë e rrezikshme që Erdogan mund ta humbasë.