Kosova
Bashkim kundër Kurtit/ Abdixhiku: Do të garojmë për fitore me Vjosa Osmanin
LDK dakordohet për bashkim elektoral me Vjosa Osmanin. Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se është arritur dakordim që në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit të garohet së bashku me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
Ai ka thënë se me votim brenda trupit partiak është vendosur që të shtunën të thirret Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, me qëllim finalizimin e këtyre proceseve.
Sipas Abdixhikut, në takim është diskutuar edhe për “bashkimin e madh” për të cilin partia është angazhuar.
“U dakorduam të formalizojmë me Vjosa Osmanin garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme, ka deklaruar ai.
Ai ka shtuar se ky bashkim nënkupton ndërtim të raporteve mbi bazën e mirëbesimit dhe se nuk bëhet fjalë për vendosje kushtesh mes palëve.
“Asnjë kusht me Vjosën s’kemi pasur. Ky përbashkim nënkupton që ne ndërtojmë relacione me mirëbesim. Kemi vullnetin e LDK-së për ta finalizuar këtë marrëveshje. Renditja në listë për mua s’ka fare rëndësi”, ka thënë Abdixhiku.
Ndryshe, Osmani deklaroi se nuk ka kërkuar të jetë në katër emrat e parë në top 10-shen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke potencuar se nuk ka kërkuar asnjë pozitë nga askush.
Osmani, para gazetarëve, sërish refuzoi të konfirmojë nëse do të garojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit dhe për cilën pozitë mund të jetë në garë.
“Nuk është mirë të spekulohet. Unë nuk kam kërkuar kurrë asnjë pozitë nga askush. Kurdo që kemi diçka për t’ju thënë, do t’jua themi”, deklaroi ajo.