Rajon
Kaos në burgjet greke, 5 të dënuar humbin jetën brenda një muaji
5 të burgosur kanë humbur jetën brenda 28 ditëve në burgun e Patrës. Sipas burimeve policore, katër shtetas grekë dhe një algjerian janë gjetur të pajetë në birucat e tyre gjatë 28 ditëve të fundit.
Trupat e tyre janë dërguar në insitutin e mjekësisë ligjore të Patrës, por ende nuk ka një përgjigje të shkakut të vdekjes së tyre.
Viktimat janë të moshave 34-55 vjeç dhe me përjashtim të një rasti që viktima kishte raportuar probleme me shëndetin dhe mjekohej, viktimat e tjera nuk kishin asnjë historik sëmundjesh.
Trupat janë gjetur pa shenja dhune, çka mund të hedhë dyshime për shkaqe të tjera, të cilat nuk raportohen për momentin, por që lihet të dyshohet se nuk janë natyrale.
Më herët sindikata e gardianëve të burgut “Ajos Stefano” kërkuan hetim të plotë të rasteve. Ata thanë se në burgun e Patrës mbahen 700 të dënuar dhe kushtet e jetesës nuk konsiderohen të mira.
Klinika e burgut funksionon jashtë kapaciteteve dhe me kufizime të dukshme për sa i përket përballimit të rasteve të urgjencës, ndërsa siguria personale për shumë prej të burgosurve vihet në dyshim.
Sipas tyre, ka episode të shpeshta dhune dhe përleshjesh mes bandave brenda burgut, ndërsa kërcënimet me jetë ndaj gardianëve dhe familjarëve të tyre janë të shpeshta. Droga dhe armët e ftohta gjenden shumë kollaj brenda këtij burgu.
Gardianët detyrohen të punojnë jashtë orareve dhe pushimet e përjavshme pothuaj se janë hequr nga programi për shkak të mungesave të personelit.
Lidhur me 5 vdekjet e të dënuarve, Ministria e Drejtësisë njoftoi se do të hapë një hetim urgjent ndërsa një ekip ekspertësh do të shkojë në vend për të parë nga afër gjendjen.