Connect with us

Kronike

Atentati ndaj çiftit Mujeci/ Skënder Hita: Sot kemi kryer disa kontrolle me RENEA-n, por…

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka dhënë detaje të reja për atentatin ndaj çiftit Mujeci në Lezhë, ku dy partnerët humbën jetën në vendngjarje. Gjatë një deklarate për mediat, Hita u shpreh se ditën e sotme janë kryer kontrolle me forcat speciale RENEA, por ende nuk është bërë e mundur kapja e autorëve.

“Policia që në momentet e para ka bërë një komunikim të drejtpërdrejtë. Hetimet kanë vijuar edhe sot në mëngjes kemi kryer disa kontrolle me forcat speciale RENEA, por ende nuk është bërë e mundur kapja e autorëve”, tha ai.

Si ndodhi ngjarja?

Atentati ndodhi rreth orës 14:50 të së dielës, 26 prill, ku si pasojë humbën jetën një çifti bashkëshortësh. Viktimat janë identifikuar si Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, përkatësisht 39 dhe 32 vjeç. Çifti po udhëtonte me një automjet tip “Audi Q7”, kur është qëlluar me breshëri plumbash. Pas ngjarjes autorët janë larguar nga vendi i krimit pa lënë gjurmë.

Kreshnik Mujeci ka qenë më herët i arrestuar, në tetor të vitit 2017, si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Genci Mhillaj në Shkodër. Në atë kohë, ai u akuzua për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim. Lidhur me atentatin, në kërkim janë shpallur Adriano Mhillaj 22 vjeç; Florin Mhillaj 36 vjeç dhe Renato Mhillaj 23 vjeç, të cilët sipas policisë, kanë mbajtur nën vëzhdim çiftin e bashkëshortëve dhe më pas kanë qëlluar me breshëri drejt tyre.

Renato Mhillaj është djali i Genc Mhillajt, i vrarë në vitin 2016, ndërsa dy të tjerët nipërit e tij. Për vrasjen e Mhillajt asokohe u akuzua Kreshnik Mujeci dhe kushëriri i tij Jozef Mujeci, por gjykata e Shkodrës i shpalli ata të pafajshëm dy vite më vonë.

Policia e Lezhës tha në një deklaratë për mediat se ngjarja ka ndodhur për gjakmarrje, ndërsa zbuloi edhe lëvizjet e autorëve. Sipas policisë, tre të akuzuarit kanë mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e Kreshnik Mujecit me një automjet tip Audi A4. Më pas, me një automjet tjetër tip “Volksëagen” pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte Kreshnik Mujeci së bashku me bashkëshorten e tij, dhe kanë qëlluar me breshëri drejt tyre.

Advertisement