Shkrime
Regjimet nuk bien kur qytetarët janë të zemëruar, por kur opozita arrin ta kthejë zemërimin në shpresë
Kur Viktor Orban humbi pushtetin në Hungari pas 16 vitesh sundim, shumëkush e pa si fundin e një epoke të autokracisë moderne europiane. Një lider që kishte ndryshuar kushtetutën, kapur median, dobësuar drejtësinë dhe ndërtuar një sistem të tërë pushteti personal, u rrëzua jo nga një revolucion i dhunshëm, por nga një opozitë që më në fund kuptoi rregullat bazë të përmbysjes së autokratëve.
Fitorja e opozitës hungareze nuk erdhi rastësisht. Ajo u ndërtua mbi disa parime që historia politike i ka provuar vazhdimisht.
E para ishte uniteti. Në Hungari, opozita krijoi një koalicion të gjerë, duke bashkuar forca të ndryshme politike vetëm për një objektiv: largimin e Orbanit. Ata kuptuan se beteja nuk fitohej me ego personale apo me luftëra të brendshme, por duke krijuar një shumicë të madhe shoqërore.
E dyta ishte lufta nga qendra. Peter Magyar nuk ndërtoi një fushatë radikale për militantët, por synoi shtresën gri të elektoratit, votuesit e lëkundur dhe qytetarët e zhgënjyer. Pikërisht kjo solli pjesëmarrje rekord në zgjedhje, afro 80%, niveli më i lartë që prej rënies së komunizmit në Hungari.
E treta ishte fokusi tek ekonomia dhe korrupsioni. Opozita hungareze nuk humbi kohë me slogane abstrakte për demokracinë, por foli për jetën reale të qytetarëve: varfërinë, korrupsionin, klientelizmin dhe pasurimin e elitave pranë pushtetit.
E katërta ishte zgjerimi i bazës elektorale. Në vend që të hiqte dorë nga zonat rurale, të konsideruara bastione të Orbanit, opozita investoi pikërisht aty. Ajo tentoi të bindte edhe votuesit e kundërshtarit dhe jo vetëm të mbante të motivuar militantët e vet.
E pesta ishte refuzimi i përçarjes. Orban kishte ndërtuar pushtetin mbi ndarjen dhe polarizimin e shoqërisë, por kur qytetarët nisën të lodheshin nga korrupsioni dhe arroganca e qeverisë, opozita e shfrytëzoi këtë lodhje duke u paraqitur si alternativë bashkuese dhe jo si burim tjetër konflikti.
Dhe e gjashta ishte protesta masive dhe frymëzuese. Opozita hungareze organizoi demonstrata të mëdha, paqësore dhe energjike në Budapest, duke krijuar ndjesinë se ndryshimi ishte realisht i mundur. Protestat nuk ishin thjesht ritual politik, por kthyen opozitën në lëvizje popullore.
Këtu nis edhe kontrasti i fortë me Shqipërinë.
Opozita shqiptare zhvilloi protestën e saj të tetë kombëtare kundër qeverisë Rama. Por ndryshe nga Budapesti, protestat në Tiranë japin gjithnjë e më shumë ndjesinë e konsumimit dhe jo të rritjes. Në vend që të mobilizojë shtresa të reja apo elektoratin gri, opozita duket se po humbet gradualisht edhe një pjesë të mbështetësve të saj tradicionalë.
Problemi kryesor është se opozita shqiptare nuk po arrin të përmbushë pothuajse asnjërin prej kushteve që sollën ndryshimin në Hungari.
Opozita hungareze kishte si bazë luftën ndaj korrupsionit, lideri i opozitës shqiptare është në gjyq i akuzuar për korrupsion.
Opozita shqiptare nuk ka unitet real, por kontroll të centralizuar rreth një figure të vetme. Kjo pasi Berisha është provuar dhe nuk shihet si alternativë. Nuk ka hapje ndaj qendrës, por një diskurs që shpesh flet vetëm për militantët. Nuk ka garë të brendshme politike, por rikthim tek modeli i liderit të pakontestueshëm.
Sali Berisha ka shkuar deri aty sa më 23 maj garon i vetëm për drejtimin e Partisë Demokratike. Një parti që kërkon të rrëzojë atë që e quan regjim autokratik, ndërkohë zhvillon një proces formal pa rivalë realë brenda vetes.
Dhe ky është paradoksi shqiptar: opozita akuzon qeverinë për përqendrim pushteti, por vetë funksionon mbi të njëjtën logjikë vertikale.
Në shkrimet klasike mbi rrëzimin e autokratëve, nga Gene Sharp te përvojat e Europës Lindore, një ide përsëritet vazhdimisht: regjimet nuk bien vetëm sepse qytetarët janë të zemëruar. Ato bien kur opozita arrin të kthejë zemërimin në shpresë dhe shpresën në shumicë.
Në Serbi, Milosheviçi u rrëzua kur opozita u kthye në lëvizje masive. Në Poloni, Lech Walesa fitoi sepse bashkoi shtresa të ndryshme të shoqërisë. Në Hungari, opozita fitoi sepse doli nga retorika e ngushtë partiake dhe foli për jetën e përditshme të qytetarëve.
Në Shqipëri, pyetja sot nuk është vetëm nëse Edi Rama mund të mundet. Pyetja më e madhe është nëse opozita është gati të ndryshojë veten përpara se të kërkojë të ndryshojë pushtetin.
Sepse historia politike e vendeve me prirje autokratike ka treguar një të vërtetë të thjeshtë: autokratët nuk mbijetojnë vetëm nga forca e tyre. Shpesh, ata mbahen në këmbë nga dobësia e opozitës. /Pamfleti