Connect with us

Kosova

Abdixhiku dhe Osmani themelojnë ‘Kushtrimin e Djathtë Dardan’ që nuk pret në besë Amerikën

Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani kanë zyrtarizuar atë që e kanë cilësuar si “bashkimin më të madh politik” në historinë e Kosovës, derisa janë zotuar se do ta ringjallin “vizionin rugovian” për t’ia kthyer shpresën dhe dinjitetin Kosovës.

Rikthimin e Osmanit në Lidhjen Demokratike, kryetari i partisë e quajti pikënisje të “kushtrimit të djathtë dardan” për t’ia kthyer, sipas tij, frymëmarrjen Republikës.

“Unë qendroj para jush si një ëndërrimtar i së ardhmes që duam ta kemi. E në këtë të ardhme nuk jam ëndërrimtar i vetëm. Këtë herë jam bashkë me një grua të fortë, të drejtë dhe të pathyeshme, që sot qëndron krah nesh për një qëllim më të madh” – deklaroi Abdixhiku duke uruar ish presidenten:

Kjo është shtëpia jonë politike që na ka formuar të dyve – që na ka mësuar ta duam Kosovën. Prandaj, mirëseardhe në shtëpinë tënde, Vjosë!”.

Osmani mes brohoritjeve të simpatizantëve, nisi adresimin e saj, gjatë së cilit theksoi se pavarësisht fërkimeve të së shkuarës, lidhja e saj me bazën e LDK-së nuk është shkëputur asnjëherë. Osmani ia kushtoi një pjesë të fjalimit edhe politikës së jashtme dhe lidhjes së saj të veçantë me partnerët strategjikë, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Po bashkohemi sot për të vazhduar idealin që thërret për një Kosovë më të fortë brenda dhe të lidhur ngushtë me Amerikën jashtë, për një Kosovë që ndërton ura e nuk i pret në besë aleatët tanë aleatët tanë të lirisë”, shtoi tutje Osmani, e cila gjithashtu nuk i kurseu kritikat për kryeministrin kosovar – tashmë në detyrë – Albin Kurti, ndajt të cilit, ndonëse pa ia përmendur emrin, drejtoi akuza për propagandë.

Sipas Osmanit, vendi ka dy rrugë: rrugën e atyre që “nuk ngopen kurrë” me pushtet, dhe amanetin e presidentit historik, Ibrahim Rugova, i cili shtetin kosovar e projektoi mbi themelet e pathyeshme të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pra, është rruga e atyre që kërcënojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj, sepse nuk ngopen kurrë, vetëm për të eleminuar një presidente që ulet me presidentin e Shteteve të Bashkuara, dhe rruga e amanetit të Rugovës, rruga e shtetit serioz, aleancave të fortave dhe respektit ndërkombëtar. E unë sot, bashkë me ju, kam zgjedhur këtë rrugë për t’ia hapuar një kapitull të ri Kosovës”, përfundoi Osmani.

Ndryshe, ndarja mes Abdixhikut dhe Osmanit ndodhi në vitin 2020, kur mospajtimet çuan në shkarkimin e Osmanit nga të gjitha pozitat në LDK-së. Osmani vazhdoi rrugën në krahun e Lëvizjes Vetëvendosje, duke fituar edhe pozitën e shefes së shtetit, ndërsa delegatët e LDK-së i besuan Abdixhikut drejtimin e partisë më të vjetër në Kosovë.

Advertisement