Connect with us

Kosova

Bie mburoja/ Kush është hija që vazhdon të qëndrojë në tryezën e Vuçiçit e që s’mund të mbyllet me deklarata

Presidenti serb Aleksander Vuçiç po ndjen se mburoja e tij evropiane nuk është më aq e fortë sa ishte dikur. Humbja e aleatit Viktor Orbanit ka implikime që shkojnë përtej Hungarisë. Orbani ishte një lloj mbrojtjeje brenda BE-së: një figurë që mund të zbuste kritikat, të relativizonte presionet dhe të jepte përshtypjen se modeli joliberal është një trend evropian, jo një devijim ballkanik. Kur një aleat i tillë dobësohet, Serbia mbetet më e ekspozuar dhe Vuçiç duhet të paguajë më shtrenjtë për të njëjtën tolerancë që gëzonte më parë nga disa qendra vendimmarrëse. Perëndimi, për vite me radhë, e ka toleruar Vuçiçin sepse e shihte atë si “të domosdoshëm” për stabilitetin rajonal. Por kjo logjikë po sfidohet sa herë që stabiliteti që ai premton fillon të duket si një ngecje e rrezikshme, ose një stabilitet i ndërtuar mbi tensione të kontrolluara.

Në këtë ekuacion, Kosova është bërë më shumë një barrë sesa një kartë. Për vite me radhë, ajo ka shërbyer si një instrument i fuqishëm për Vuçiçin: ndonjëherë për mobilizim të brendshëm, ndonjëherë për presion mbi Prishtinën, ndonjëherë si një monedhë negociuese me Brukselin dhe Uashingtonin. Por pas Banjskës, kostoja është rritur ndjeshëm.

Vuçiç ende kontrollon shumë mekanizma pushteti: institucionet, median, aparatin e sigurisë, patronazhin ekonomik. Por pyetja sot nuk është nëse ai ka pushtet; pyetja është nëse modeli i tij po humbet qëndrueshmërinë e tij. Dhe këtu shenjat janë më të qarta se më parë. Protestat nuk po zbehen lehtë. Pakënaqësia sociale po thellohet. Kosova po prodhon kosto politike, jo vetëm për Prishtinën, por edhe për Beogradin. Presioni ndërkombëtar po bëhet më i kushtëzuar. Aleatët e jashtëm që dikur shërbenin si mburojë po dobësohen. Dhe hija e Milan Radoiçit vazhdon të qëndrojë në tryezë si një problem që nuk mund të mbyllet me deklarata.

Advertisement