Connect with us

Shkrime

Epoka e anarkisë dhe laku Pekinit/ Xi Jinping po e çon Kinën drejt përplasjes globale

Republika Popullore e Kinës u themelua në kundërshtim me perandorinë. Partia Komuniste Kineze e ndërtoi identitetin e saj mbi anti-imperializmin, duke e paraqitur veten si pararojë të një lufte globale kundër dominimit perëndimor. Udhëheqësi kinez Mao Ce Duni e shihte Revolucionin Bolshevik si aktin hapës të kësaj lufte dhe, pas fitores komuniste dhe krijimit të Republikës Popullore në vitin 1949, Pekini e ngriti “mosndërhyrjen” në një parim thelbësor të politikës së tij të jashtme. Koncepti u bë një instrument i fuqishëm diplomatik, duke e ndihmuar Kinën të pozicionohej si kampione e sovranitetit postkolonial dhe të fitonte mbështetje në gjithë Jugun Global.

Megjithatë, edhe në fillim, ky parim ishte më shumë propagandë sesa doktrinë. Mao mbështeti kryengritje komuniste jashtë vendit dhe dërgoi “vullnetarë” kinezë për të luftuar në Luftën e Koresë. Me zgjerimin e kapaciteteve të Kinës, u zgjerua edhe shtrirja e aktiviteteve të saj përtej kufijve. Sot, Pekini operon një rrjet global marrëdhëniesh inteligjence, ndikimi dhe sigurie, të krijuara për të avancuar interesat e tij jashtë vendit.

Së fundmi, ai i ka ofruar mbulim diplomatik dhe mbështetje materiale presidentit rus Vladimir Putin në luftën e agresionit kundër Ukrainës. Kina ka ngritur gjithashtu disa struktura ushtarake jashtë vendit, në Kamboxhia, Xhibuti dhe, sipas disa raportimeve, edhe në Taxhikistan, ndonëse Pekini vazhdon ta mohojë këtë të fundit. Edhe kështu, historia e ndërhyrjeve kineze deri tani ka qenë më shumë e orientuar drejt operacioneve të ndikimit dhe mbështetjes së fshehtë për regjimet që favorizon. Kina mori pjesë në Luftën e Koresë dhe pushtoi Indinë në vitin 1962 dhe Vietnamin në vitin 1979, por nuk është angazhuar rregullisht në ndërhyrje të hapura ushtarake sipas modelit amerikan.

Për dekada me radhë, Kina mundi ta ruante këtë qasje nën ombrellën e rendit të sigurisë të udhëhequr nga SHBA, të cilin nuk kishte nevojë ta mirëmbante vetë. Siç ka argumentuar analistja Zoe Liu në revistën Foreign Affairs, ky rend e kufizonte Kinën në disa drejtime të rëndësishme, por njëkohësisht garantonte stabilitetin e rrugëve globale të tregtisë dhe sistemeve financiare, duke i lejuar Pekinit të përqendronte shumicën e burimeve në zhvillimin ekonomik dhe modernizimin ushtarak.

Ndërsa ky rend po shpërbëhet dhe presidenti amerikan Donald Trump po përdor gjithnjë e më energjikisht forcën jashtë vendit, Kina sheh interesat e saj tregtare, teknologjike dhe të sigurisë, nga depozitat minerare dhe rrugët detare të Arktikut deri te rrjedhat e naftës në Gjirin Persik, në rrezik të menjëhershëm. Pekini po tërhiqet drejt logjikës së pashmangshme që ka përballur të gjitha fuqitë në ngritje: për të mbrojtur interesat e veta jashtë vendit, duhet të marrë një pjesë më të madhe të kostos së ruajtjes së rendit.

Ndërsa bota po zhytet në atë që Xi Jinping e ka përshkruar si një botë pa ligj ku sundon më i forti, Pekini po përgatit aparatin e tij të sigurisë për të mbrojtur korridoret e transportit, zinxhirët e furnizimit dhe burimet strategjike që mbështesin fuqinë kineze. Ministri kinez i Sigurisë së Shtetit ka urdhëruar burokracinë e sigurisë kombëtare të ndërtojë një sistem të integruar “në të gjithë zinxhirin” për mbrojtjen e interesave kineze jashtë vendit, gjë që me shumë gjasa do të kërkojë zgjerimin e kapaciteteve të inteligjencës dhe mbrojtjes të vendosura jashtë territorit kinez. Natyra e varësive globale të Kinës do të thotë se ky sistem nuk mund të ndalet vetëm në periferinë e afërt të vendit, por duhet të parandalojë rreziqe deri në Kanalin e Panamasë dhe minierat e Afrikës Qendrore.

Paralelisht, intelektualët besnikë ndaj partisë po debatojnë nëse Kina duhet ta rishikojë zyrtarisht angazhimin e saj ndaj mosndërhyrjes. Një vend i ndërtuar mbi një narrativë anti-imperialiste ka arritur në pikën ku duhet, me njëfarë hezitimi, të marrë një pjesë më të madhe të barrës së perandorisë.

Në xhungël

Mao dikur e përshkroi rrjetin e gjerë global të bazave ushtarake amerikane si “lakë rreth qafës së imperializmit amerikan” që në fund do ta ngatërronin Uashingtonin dhe do t’ia dobësonin fuqinë në gjithë botën. Në disa aspekte, ky gjykim duket sot profetik. Strategjia Kombëtare e Sigurisë e Trumpit në vitin 2025 pranoi realitetin e shtrirjes së tepruar amerikane dhe synoi të reduktonte angazhimet e vendit në një grup më të kufizuar interesash thelbësore.

“Ditët kur Shtetet e Bashkuara mbanin të gjithë rendin botëror mbi supe si Atlasi kanë përfunduar”, thuhej në dokument.

Analistët brenda establishmentit kinez të sigurisë e kuptuan herët këtë ndryshim gjatë mandatit të dytë të Trumpit. Në gusht 2025, qendra studimore e Ministrisë kineze të Sigurisë së Shtetit publikoi një analizë me titull “Fundi i Perëndimit?”. Instituti Kinez i Marrëdhënieve Bashkëkohore Ndërkombëtare konsiderohet pjesë përbërëse e Ministrisë së Sigurisë së Shtetit dhe vlerësimet e tij pasqyrojnë e formësojnë mendimin strategjik të udhëheqjes më të lartë kineze.

Analiza argumentonte se Perëndimi, pra blloku strategjik i udhëhequr nga SHBA, përfshirë Evropën dhe aleatët e saj, po hynte në një fazë rënieje relative, jo përmes një kolapsi të menjëhershëm, por përmes erozionit të kohezionit të brendshëm, legjitimitetit dhe autoritetit normativ. Rikthimi i Trumpit, sipas këtij interpretimi, përfaqësonte një çarje strukturore që sinjalizonte gatishmërinë e SHBA-së për të minuar aleancat e veta, për të anashkaluar institucionet që kishte ndërtuar dhe për të përdorur instrumentet ekonomike si armë kundër miqve dhe kundërshtarëve.

Megjithatë, ky interpretim nuk përmban vetëm triumfalizëm. Nën vetëbesimin fshihen shqetësime serioze se rënia e pritshme e fuqisë amerikane nuk do të sjellë një transferim të rregullt të pushtetit, por një superfuqi të paqëndrueshme që është gjithnjë e më e gatshme të përdorë forcën sa kohë ende mundet. Në përgjigje të bllokadës amerikane të Ngushticës së Hormuzit, Xi paralajmëroi, siç kishte bërë edhe më pare, se Bota nuk duhet të rikthehet te “ligji i xhunglës”. Por establishmenti kinez i sigurisë duket se ka arritur në përfundimin se tashmë operon pikërisht në një xhungël të tillë.

Në dhjetor 2025, ministri i Sigurisë së Shtetit Chen Yixin publikoi një ese ku parashikonte një “ndryshim historik” në pozitën globale të Kinës, të shoqëruar me një periudhë të re turbulencash dhe rreziku. Mundësitë që Pekini sheh në dobësimin strukturor të SHBA-së balancohen nga rreziqet e menjëhershme që sjell përdorimi i forcës nga administrata Trump, kërcënimet për përshkallëzim tarifor dhe pretendimet e gjera ndaj territoreve dhe aseteve strategjike.

Në janar, presidenti në largim i CICIR, Yang Mingjie, publikoi një analizë ku argumentonte se sistemi ndërkombëtar ka hyrë në “një periudhë trazirash dramatike dhe ristrukturimi”, në të cilën SHBA ka hequr dorë nga përgjegjësia për ruajtjen e rendit ekzistues. Sipas tij, kjo fazë tranzitore do të karakterizohet nga turbullira, konfuzion dhe çrregullim dhe do ta komplikojë seriozisht situatën e sigurisë së Kinës. Në mars, pasuesi i tij Fu Xiaoqiang publikoi një analizë në revistën teorike të Partisë Komuniste “Seeking Truth”, ku e përshkruante momentin aktual si një periudhë të re historike përballjeje të shtuar, në të cilën shtetet do të detyrohen të kërkojnë autonomi më të madhe.

Këto deklarata janë akademike dhe të kujdesshme në ton, por në thelb përfaqësojnë pranimin se Kina tashmë po vepron në një botë ku zbatohen vetëm ligjet e forcës. Kur vlerësime strategjike të tilla përhapen nëpër burokraci, sidomos në nyjet kryesore të shtetit të sigurisë, ato kthehen në supozime operative të sistemit kinez. Pekini tani po mobilizohet për t’u përgjigjur.

Shtrëngimi i zinxhirit

Shkalla e ekspozimit të Kinës jashtë vendit e bën të kuptueshme ankthin e establishmentit të saj të sigurisë. Kina është shteti më i madh tregtar në botë, me mijëra kompani që operojnë në më shumë se 150 vende, miliona qytetarë që jetojnë e punojnë jashtë dhe me nismën gjigante infrastrukturore “Një Brez, Një Rrugë” të shtrirë në rajone të paqëndrueshme.

Në përgjigje, Chen Yixin ka lëshuar atë që duket si urdhër mobilizimi: “Përballë situatës së rëndë të rritjes së vazhdueshme të rreziqeve ndaj interesave tona jashtë vendit, duhet të ndërtojmë një sistem mbrojtjeje të interesave jashtë vendit në të gjithë zinxhirin.”

Në vitet e fundit, Kina ka zgjeruar kapacitetet për mbrojtjen e investimeve të saj jashtë vendit, përfshirë bazat detare në Kamboxhia dhe Xhibuti, si dhe një rrjet në zgjerim marrëveshjesh dypalëshe sigurie. Formulimi i Chen e kodifikon, zgjeron dhe i jep urgjencë të re kësaj strategjie.

Shprehja “në të gjithë zinxhirin” nënkupton një arkitekturë sigurie të ndërlidhur që synon të parashikojë dhe neutralizojë rreziqet përtej kufijve të Kinës. Operacionalisht, kjo nis me mbledhje më të gjerë informacioni për të siguruar paralajmërim të hershëm ndaj “përmbajtjes dhe shtypjes”, siç e përshkruajnë zyrtarët kinezë presionin ekonomik dhe të sigurisë të udhëhequr nga SHBA kundër Kinës.

Kjo shtrihet edhe në integrim më të thellë me vendet e huaja në fushën e inteligjencës dhe zbatimit të ligjit, duke i mundësuar Kinës koordinim me shtetet pritëse në polici, kundërterrorizëm dhe reagim ndaj krizave.

Së fundi, ky kuadër sigurie me gjasë do të kërkojë prani më të madhe kineze jashtë vendit për të neutralizuar rreziqet sapo ato të shfaqen. Kjo mund të marrë forma të ndryshme, përfshirë zgjerimin e përdorimit të kompanive private të sigurisë që angazhojnë ish-ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore në vendet ku ndodhen projekte të rëndësishme të “Një Brez, Një Rrugë”.

Sëmundja e paqes

Lufta e Trumpit kundër Iranit e rriti urgjencën e këtij rikalibrimi. Mendimtarë të njohur pranë establishmentit të partisë zgjeruan implikimet e retorikës zyrtare të Pekinit. Disa ditë pas nisjes së fushatës ajrore SHBA-Izrael kundër Iranit, profesori Zheng Yongnian propozoi që Kina të rishikojë parimin e mosndërhyrjes në favor të asaj që ai e quan “Ndërhyrja 2.0”, e cila do të lejonte ndërhyrje shtetërore shtrënguese jashtë vendit në disa skenarë, përfshirë operacione “të zbatimit të ligjit” jashtë territorit kinez dhe pa përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake.

Zheng përmend goditjen kineze ndaj rrjeteve të mashtrimit në zonat kufitare të Kamboxhias, Laosit dhe Mianmarit si shembull të “ndërhyrjes aktive”. Por ky rast tregon një doktrinë më të ashpër sesa sugjeron paraqitja e tij si operacion bashkëpunimi.

Një tjetër figurë me ndikim, profesori Jin Canrong, argumenton prej kohësh se shoqëria kineze vuan nga ajo që ai e quan “sëmundja e paqes”, një neveri e thellë ndaj konfliktit që ai e konsideron dobësi strategjike dhe jo virtyt. Sipas tij, fuqitë në ngritje rrallëherë e kanë konsoliduar pozitën e tyre pa demonstruar epërsi ushtarake.

Ditën kur forcat amerikane goditën Iranin, Jin ripublikoi një paralajmërim nga një llogari e lidhur me Ushtrinë Çlirimtare Popullore, e cila u kërkonte qytetarëve kinezë të përgatiteshin për rrezik. Ai u bëri thirrje atyre që vuajnë nga “sëmundja e paqes” të zgjohen dhe të kuptojnë se mjedisi i sigurisë me të cilin Kina ishte mësuar po zëvendësohet nga një lloj i rrezikshëm çrregullimi.

“Paqja nuk dhurohet nga të tjerët, por fitohet përmes forcës së vet”, shkroi ai, duke shtuar “lufta tashmë është mjaft e zakonshme në botë sot dhe ka gjasa të shtohet në të ardhmen.”

Logjika e perandorisë

Arsyetimi që qëndron pas mobilizimit të sinjalizuar nga mendimtarët kinezë ngre një pyetje që prek vetë thelbin e identitetit të Kinës: a mundet Pekini të mbrojë interesat e tij në zgjerim jashtë vendit pa u bërë vetë një fuqi ndërhyrëse si ato kundër të cilave është përcaktuar historikisht?

Shtetet e Bashkuara dikur u përballën me një pyetje të ngjashme. Doktrina Monroe, e shpallur në vitin 1823, u konceptua fillimisht si instrument anti-imperialist për ta mbajtur hemisferën perëndimore larg ndërhyrjeve koloniale evropiane. Por me zgjerimin e interesave amerikane, doktrina evoluoi.

Shtojca e presidentit Theodore Roosevelt në vitin 1904 i dha Uashingtonit të drejtën të ndërhynte në vendet e Amerikës Latine për t’i stabilizuar sipas interesave amerikane, duke e shndërruar praktikisht një deklaratë anti-imperialiste në arkitekturë të një perandorie informale.

Pekini e ka parë sesi infrastruktura globale ushtarake amerikane i dha Uashingtonit avantazhe të mëdha, por njëkohësisht e ekspozoi ndaj humbjeve të prestigjit dhe kostove të mëdha në luftëra që prodhuan pak përfitim strategjik, sidomos në Lindjen e Mesme.

Ndërsa Kina po lëviz drejt një pozicioni më ndërhyrës, qoftë edhe pa e pranuar zyrtarisht, ajo do të përpiqet të mësojë nga gabimet e përvojës amerikane. Pekini ka gjasa të veprojë sa më shumë të jetë e mundur nën mbulesën e bashkëpunimit dypalësh ose shumëpalësh për të shmangur krahasimet me politikën amerikane.

Megjithatë, edhe një qasje e tillë nuk ofron mbrojtje të plotë. Shembulli amerikan tregon se edhe ndërhyrjet indirekte prodhojnë pakënaqësi afatgjata, varësi politike dhe detyrime të vazhdueshme.

Analiza e ForeignAffairs rikujton paralajmërimin e Mao Ce Dunit se bazat ushtarake amerikane mund të shndërroheshin në lakun që do të mbytej vetë perandoria amerikane. Por ndërsa Pekini zgjeron praninë e tij globale, mund të zbulojë se interesat e tij ndërkombëtare po shtrëngohen gradualisht në një kurth të ndërtuar nga vetë ai

Advertisement