Connect with us

Politike

Dokumenti i Këshillit të BE: Bashkimi Europian drejt hapit final për “Themeloret” e Shqipërisë

Procesi i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian duket se po hyn në një fazë të re procedurale për Grup-kapitullin 1, “Themeloret”, i konsideruar si bërthama e të gjithë procesit të anëtarësimit.
Një dokument zyrtar i publikuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian ka futur në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve anëtare (COREPER II) një pikë që lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë: “Accession negotiations with Albania – Interim European Union common position on cluster 1: fundamentals – Approval”.
Formulimi, i përfshirë si një pikë “e mundshme” në agjendë, sinjalizon se shtetet anëtare po shqyrtojnë miratimin e një pozicioni të përbashkët të përkohshëm të Bashkimit Evropian për Grup-kapitullin 1, i cili përfshin fusha kyçe si sundimi i ligjit, funksionimi i sistemit të drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, të drejtat themelore dhe liria e medias.
Sipas një burimi evropian në dijeni të procesit, i cili foli në kushte anonimiteti për Albanian Post, bëhet fjalë për një hap me rëndësi procedurale, që mund të konsiderohet si hallka e fundit për miratimin e draft-pozicionit të përbashkët të Bashkimit Evropian për këtë grup-kapitull.
“Bëhet fjalë për hapin procedural që do të çonte drejt miratimit të draftit të pozicionit të përbashkët të BE-së për Cluster 1”, shpjegon burimi, duke sqaruar se procesi mbetet ende në koordinim mes shteteve anëtare dhe nuk është formalizuar përfundimisht.
Në praktikë, kjo do të thotë se shtetet anëtare po harmonizojnë qëndrimet e tyre politike mbi dokumentin që bazohet në vlerësimin e progresit të Shqipërisë në “Themeloret”, një proces i lidhur ngushtë me standardet e ndërmjetme të negociatave.
Përfshirja e shënimit “possible” në dokument tregon se vendimi mbetet i kushtëzuar nga dakordësia paraprake e shteteve anëtare në nivel teknik-politik, përmes Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet Negociuese (COELA), ku negociohen formulimet finale të dokumenteve të zgjerimit.
Në praktikë, kjo do të thotë se pika mund të konfirmohet vetëm nëse arrihet konsensus mbi tekstin e pozicionit të përbashkët.
Megjithatë, vetë futja e çështjes në agjendën e COREPER-it dhe avancimi i draftit në nivelet e Këshillit shihet në qarqet evropiane si tregues se procesi ka hyrë në një fazë më të avancuar koordinimi politik dhe se ekziston tashmë një nivel i konsiderueshëm dakordësie mes shteteve anëtare mbi progresin e Shqipërisë.
Një sinjal shtesë se procesi po lëviz drejt fazës së ardhshme vjen edhe nga dokumentacioni parlamentar i Holandës, një prej vendeve anëtare tradicionalisht më kërkuese ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Sipas dokumentit, kjo mund të hapë rrugën për vendosjen e të ashtuquajturave closing benchmarks – standardet përfundimtare që Shqipëria duhet të përmbushë përpara mbylljes së kapitujve të sundimit të ligjit në fund të procesit të anëtarësimit.
Dokumenti thekson se këto standarde do të fokusohen te pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liritë themelore, integriteti i policisë dhe kapacitetet administrative të shtetit.
Në të njëjtën kohë, qeveria holandeze lë të kuptohet se ekziston një klimë në favor të avancimit të procesit për Shqipërinë, duke vënë në dukje se “balanca e forcave në Këshill duket se po lëviz drejt mbështetjes unanime” për mbajtjen e një Konference Ndërqeveritare me Shqipërinë, ku këto standarde do t’i komunikohen zyrtarisht Tiranës.
Në aspektin procedural, ky zhvillim nuk nënkupton mbylljen e Grup-kapitullit 1, por konsiderohet një hap kyç që mund të hapë rrugën për fazat e ardhshme të negociatave të anëtarësimit.
Grup-kapitulli 1, “Themeloret”, konsiderohet më i rëndësishmi në metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, pasi hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Ai mbulon fusha që Brukseli i konsideron përcaktuese për besueshmërinë e procesit të integrimit, nga pavarësia e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit, te të drejtat themelore, funksionimi i institucioneve demokratike dhe standardet e shtetit të së drejtës.
Zhvillimi vjen në një moment kur qeveria shqiptare ka deklaruar vazhdimisht se vendi ka hyrë në fazën më intensive të negociatave me Bashkimin Evropian dhe se progresi teknik i bërë gjatë vitit të fundit ka qenë ndër më të shpejtët që nga nisja e procesit.

Advertisement