Bota
Një vrimë e vogël në ngushticë/ Teherani rihap pjesërisht Hormuzin, Trump njofton vrasjen e numrit 2 të ISIS
Irani ka njoftuar se më shumë anije tani mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike në botë, nën koordinimin e forcave detare të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Kjo hapje vjen pas një periudhe tensionesh të larta dhe kufizimesh në trafikun detar.
Sipas transmetuesit shtetëror iranian, mbi 30 anije janë autorizuar të kalojnë nëpër kanal gjatë 24 orëve të fundit. Agjencia e lajmeve Tasnim raportoi se “disa anije kineze” kanë marrë leje specifike për tranzit. Kalimi i tyre filloi që nga mbrëmja e së mërkurës, pas një mirëkuptimi mbi protokollet e reja iraniane.
Autorizimi për kalimin e disa anijeve tregon se shumë vende kanë pranuar protokollet e reja ligjore të prezantuara nga Irani dhe forcat detare të Gardës Revolucionare Islamike në këtë rajon dhe në Ngushticën e Hormuzit.
Këto protokolle përfshijnë përdorimin e korridoreve të caktuara, njoftimin paraprak dhe koordinimin me autoritetet iraniane.
SHBA-ja nga ana tjetër ka paralajmëruar anijet që përdorin Ngushticën që të mos i pranojnë kushtet e Iranit pasi mund të përballen me sanksionet amerikane.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump njofton vrasjen e numrit 2 të ISIS-it që fshihej në Nigeri, Abu Bilal al-Minuki, i cili sipas SHBA-së ishte i dyti në hierarkinë e ISIS-it në nivel global.
Siç tha Trump, operacioni u krye nga forcat amerikane dhe nigeriane pas një veprimi të koordinuar ushtarak.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se Abu Bilal al-Minuki, të cilin e përshkroi si “terroristi më aktiv në botë”, u vra në një operacion të planifikuar dhe ekzekutuar bashkërisht nga forcat e armatosura të SHBA-së dhe Nigerisë.
Presidenti amerikan argumentoi gjithashtu se vdekja e tij është një goditje e rëndësishme për operacionet ndërkombëtare të ISIS-it, duke vënë në dukje se “ai nuk do të terrorizojë më njerëzit e Afrikës dhe as nuk do të ndihmojë në planifikimin e operacioneve kundër amerikanëve”.