Kosova
Osmani thotë se nuk “shqetësohet” për votat: Projekti shkon edhe përtej Lidhjes Demokratike të Kosovës
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë i ka hyrë garës për zgjedhjet e 7 qershorit, ka deklaruar se nuk shqetësohet për numrin e votave që do të marrë në këto zgjedhje.
Osmani ka thënë se projekti në të cilin është përfshirë shkon edhe përtej Lidhjes Demokratike të Kosovës, me të cilën do të garojë në zgjedhje.
“Unë nuk e kam hallin tek numri i votave, unë kam ardhur për një projekt të përbashkët që shkon shumë përtej nesh, shkon shumë përtej LDK-së si parti dhe ka të bëjë me krijimin e një balance demokratike në institucionet tona, që është e domosdoshme për të ndalur një herë e përgjithmonë përcarjen mes shqiptarëve dhe për të mundësuar hapa konkretë, të mëdhenj dhe strategjikë rreth integrimit euroatlantik”, deklaroi ajo.
Pas pesë viteve të një imazhi të rezervuar dhe të matur si ish-presidente e Kosovës, Osmani ka nisur një fushatë që duket krejt ndryshe nga mënyra se si qytetarët u mësuan ta shohin.