Kronike
I mori armën policit dhe e plagosi gjatë shoqërimit në komisariat, ja kush është 45-vjeçari, ishte nën efektin e drogës
NTV.AL ka siguruar foton e 45-vjeçarit Zamir Skënderi, i cili ka plagosur policin Arsen Toska me armën e shërbimit të këtij të fundit. Skënderi po shoqërohej për në komisariat për prishtje të qetësisë publike ndërsa dyshohet të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Ai rezulton të jetë skeduar dhe më parë nga policia për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga plagosja e një efektivi policie mbrëmjen e sotme në aksin Fier–Dimal, një ngjarje e rëndë që ka vënë në alarm strukturat e Policisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Sipas informacioneve paraprake, autori i ngjarjes është 45-vjeçari Zamir Skënderi, person me precedentë penalë, i cili gjatë shoqërimit nga policia ka arritur t’i rrëmbejë armën e shërbimit një efektivi dhe ta plagosë atë.
Ngjarja ka ndodhur në dalje të fshatit Kutalli, në territorin e bashkisë Dimal. Mësohet se Skënderi ishte shoqëruar më herët nga efektivët e policisë pas një konflikti të ndodhur në ambientet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.
Tre efektivë të policisë po e transportonin 45-vjeçarin nga Fieri drejt Komisariatit të Kuçovës. Gjatë lëvizjes me automjet në aksin nacional Fier-Dimal, Skënderi, i cili ndodhej në sediljen e pasme së bashku me efektivin Arsen Toska, ka përfituar nga momenti për t’i marrë armën e shërbimit policit 20-vjeçar.
Menjëherë pas kësaj, ai ka qëlluar me armë zjarri duke e plagosur efektivin në pjesën e kofshës. Burime bëjnë me dije se pas të shtënës, 45-vjeçari ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është neutralizuar dhe arrestuar nga dy efektivët e tjerë që ndodheshin në automjet.
Polici i plagosur është transportuar fillimisht me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të plagës së marrë, ai është nisur më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Fatmirësisht, sipas burimeve zyrtare, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas arrestimit të Skënderit, policia ka ushtruar kontroll fizik ndaj tij, ku i është gjetur e fshehur në trup edhe një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, si dhe inspektorë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët po hetojnë rrethanat e plota të incidentit dhe procedurat e ndjekura gjatë shoqërimit të 45-vjeçarit.
Hetimet janë fokusuar jo vetëm te dinamika e plagosjes, por edhe te mënyra sesi i shoqëruari arriti të marrë armën e shërbimit të efektivit brenda automjetit të policisë.