Connect with us

Rajon

TRE TË VRARË NË POLIGON/ I DYSHUARI VRET VETEN KUR RRETHOHET NGA POLICIA

Ka përfunduar me vetëvrasjen e të dyshuarit operacioni i madh policor që mbajti në alarm Malin e Zi gjatë gjithë natës.

Shtetasi rus Mihail Shabunin, 30 vjeç, u lokalizua rreth orës 03:35 të mëngjesit në një zonë pyjore mbi lagjen Topla të Herceg Novit. Sipas Policisë malazeze, ai hapi zjarr drejt efektivëve pasi u rrethua dhe më pas qëlloi veten me armë zjarri.

Në operacion morën pjesë njësitë speciale, policia kufitare dhe forcat rajonale, të mbështetura nga një helikopter i Ushtrisë së Malit të Zi.

Shabunin dyshohej se pasditen e 31 gushtit vrau tre punonjës të poligonit “Češka Zbrojevka” në Danilovgrad: Petar Globarević, 24 vjeç, Momir Radonjić, 67 vjeç dhe Nemanja Kapor, 20 vjeç.

Pas krimit, ai dyshohet se mori automjetin e njërit prej viktimave dhe u largua drejt Podgoricës. Automjeti u gjet në zonën e Rogamit, ndërsa hetuesit thonë se 30-vjeçari vazhdoi arratinë me taksi deri në Herceg Novi.

Policia deklaroi se rreziku për qytetarët ka përfunduar. Megjithatë, motivi i vrasjes së trefishtë mbetet ende i pazbardhur. Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë të Podgoricës për të rindërtuar të gjithë ngjarjen dhe për të përcaktuar origjinën e armës dhe municioneve.

Përgjegjësia e Shabuninit për vrasjet mbeti në nivelin e dyshimit policor dhe nuk u provua në gjykatë.

#NTV #MaliIZi #HercegNovi #Danilovgrad #Kronikë #LajmiFundit

Advertisement