Aktualitet
1.4 milion euro për 2 km rrugë/ Banorët denoncojnë: Ky segment është braktisur
Pas ankesave të shumta të qytetarëve dhe bizneseve në rrugën “17 Nëntori”, ku kanë nisur punimet për rikonstruksionin, firma e ndërtimit duket se nuk preokupohet aspak.
Asnjë makineri e saj nuk shihet të punojë në rrugë për të përshpejtuar punimet dhe për të minimizuar ndotjen që ka krijuar.
Bashkia e Tiranës ka dhënë afro 1.4 milion euro për një segment rrugor prej 2 kilometrash. Tenderin e punimeve e ka fituar shoqëria “Vianex shpk”, ndërsa punimet i mbikëqyr shoqëria “Zenit & Co”, e cila ka nënkontraktuar një tjetër firmë që nuk dihet nëse i ka makineritë e duhura dhe burimet njerëzore të mjaftueshme.
“Është krijuar një praktikë e shëmtuar se tenderin e fiton një kompani e ajo nënkontrakton një tjetër, pastaj tjetri nënkontrakton një tjetër. Nuk ka vënë në punë rulin, nuk ka një bot. Të gjithë këta drejtues mjetesh do të çojnë makinën për filtra”, shprehet Romeo Nazarko, projektues rrugësh.
Në 2 km rrugë nuk shikohet asnjë makineri të punojë, por duket qartë se firma fantazmë që po kryen këtë fazë punimesh, e cila nuk rezulton e identifikuar në tabelë, ka zgjedhur që sheshimin e rrugës ta kryejnë makinat që e përdorin këtë rrugë dhe jo makineria e posaçme, pasi ka kosto firma.
Por përveç shqetësimit të krijuar për banorët e zonës nga reja e pluhurit që thithin në çdo moment, dhe stresit që kalojnë çdo ditë drejtuesit e automjeteve për shkak të trafikut që krijohet nga gropat në rrugë, shumë shpejt këta të fundit do të kenë edhe një tjetër faturë, ndërkohë që firmën e punimeve nuk e monitoron askush.
Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia e Tiranës duhet të ndërhyjnë menjëherë për të ndjekur ecurinë e punimeve, të cilat po kryhen jashtë çdo standardi teknik.