Connect with us

Kronike

Plagosje me thikë në Kombinat, tritol në Kinostudio, nga aksidenti në rrugë mbetet viktimë një 7 vjeçar

Një plagosje me thikë është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në zonën e Kombinatit, në kryeqytet.

Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur pas një sherri të çastit për motive të dobëta. Dy 60-vjeçarë mësohet se ishin duke konsumuar kafe në një lokal të zonës, kur debati mes tyre ka degraduar në përdorimin e thikës.

Në kulmin e konfliktit, njëri prej burrave ka nxjerrë një thikë dhe ka plagosur shokun e tij. Dyshohet se shkak i përplasjes ka qenë një debat banal, ndërsa të dy personat ndodheshin nën efektin e alkoolit.

Autori i dyshuar është arrestuar nga policia, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.

Policia gjithashtu njofton permes një komunikate se një sasi tritoli ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në një lokal në një pallat në Tiranë në territorin e Komisariatit nr. 4, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Tritoli dyshohet të jetë vendosur prej një konflikti të ndodhur më parë, ndërsa po hetohet nga policia, pasi pronarët nuk deklarojnë gjë.

Në kamerat e sigurisë që kanë siguruar forcat e rendit, dallohet një person i maskuar që vjen pranë lokalit, lë lëndën plasëse dhe largohet në këmbë.

Gjithashtu një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një fëmije është shënuar mëngjesin e sotëm në fshatin Mengël, në aksin rrugor Elbasan–Librazhd.

Sipas të dhënave paraprake, një 7-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet në momentin kur po kalonte rrugën për të shkuar në shkollë.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se fëmija i është shkëputur nga dora nënës në çastin kur ka tentuar të kalojë rrugën, ndërsa më pas është goditur nga automjeti që po lëvizte në aksin rrugor.

Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik.

Advertisement