Connect with us

Politike

Ministri Hoxha takohet në Bruksel me homologun francez: Mbështetje për anëtarësimin e Shqipërisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar në Bruksel, ku pritet të mbahet edhe konferenca ndërqeveritare Shqipëri-BE për grupkapitujt Themeloret dhe nisjen e procesit të mbylljes së negociatave për integrimin, me homologun e Francës, Benjamin Haddad.

Biseda është fokusuar tek procesi i zgjerimit të BE, situata në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal. Me anë të një postimi në rrjetin social X, ministri Hoxha ka zbuluar edhe bisedën e fokusuar tek Shqipëria dhe procesi i integrimit. Ai thekson se u ra dakord të thellohet bashkëpunimi në shumë fusha.

“Përgëzova angazhimin personal të Ministrit në mbështetjen e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht gjatë fazave vendimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përtej dialogut të përforcuar politik, partneriteti ynë dypalësh po materializohet përmes projekteve të prekshme me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë. Brenda kuadrit të një partneriteti në zgjerim të vazhdueshëm, ne po forcojmë në mënyrë aktive bashkëpunimin në fusha strategjike si inovacioni i përparuar, energjia e gjelbër, mbrojtja, arsimi, komunikimi strategjik dhe shkëmbimet kulturore”, shkruan Hoxha mes të tjerash.

Në fund ai ndan edhe riafirmimin e angazhimit të përbashkët:

“Ne riafirmuam angazhimin e përbashkët për të thelluar më tej këtë partneritet të veçantë dhe për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”.

Postimi i plotë i Ferit Hoxhës:

“Shumë i kënaqur nga takimi i sotëm me Ministrin Francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, me të cilin zhvilluam një diskutim thelbësor, veçanërisht mbi procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, situatën në Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

Dinamika e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Francës nuk ka qenë kurrë më e pasur, më e fortë dhe më premtuese. Shpreha mirënjohjen time të thellë për qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Francës në mbështetje të një Evrope më të zgjeruar, më të bashkuar, më të fortë dhe gjithmonë në solidaritet dhe të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të një bote gjithnjë e më të trazuar.

Gjithashtu përgëzova angazhimin personal të Ministrit në mbështetjen e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, veçanërisht gjatë fazave vendimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Përtej dialogut të përforcuar politik, partneriteti ynë dypalësh po materializohet përmes projekteve të prekshme me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët tanë. Brenda kuadrit të një partneriteti në zgjerim të vazhdueshëm, ne po forcojmë në mënyrë aktive bashkëpunimin në fusha strategjike si inovacioni i përparuar, energjia e gjelbër, mbrojtja, arsimi, komunikimi strategjik dhe shkëmbimet kulturore.

Ne riafirmuam angazhimin e përbashkët për të thelluar më tej këtë partneritet të veçantë dhe për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve tona në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”.

Advertisement