Kronike
EMRI/ U përfshi në një konflikt për motive të dobëta, plagoset me armë zjarri 34-vjeçari në Tiranë
Zbardhen detaje të reja nga plagosja me armë zjarri e 34-vjeçarit Juxhin Hamajezi, e ndodhur pak para mesnatës në Tiranë.
Bëhet me dije se Hamajezi ka deklaruar para grupit hetimor se ngjarja ndodhi pas një konflikti të çastit. Ai u paraqit rreth orës 23:55 në spital me një plagë në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, plagosja ndodhi në rrugën “Aleksandër Moisiu”, ku dyshohet se një konflikt për motive të dobëta degradoi në përdorimin e armës së zjarrit.
Sakaq, emri i Juxhin Hamajesit nuk është i panjohur për policinë. 34-vjeçari ka mbetur i plagosur edhe në vitin 2018, pasi u qëllua me armë zjarri nga ish-efektivi Santiago Malko në lokalin “Enea”, në zonën e Kinostudios. Në atë atentat ai arriti të mbijetojë, megjithëse mbeti i plagosur.
Po ashtu, Hamajezi rezulton të jetë arrestuar edhe në qershor të vitit 2021, i dyshuar për trafik klandestinësh sirianë.
Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit apo autorëve të përfshirë.
“Më datë 26.05.2026, rreth orës 23:55, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, i plagosur në këmbë, dyshohet me armë zjarri, shtetasi J. H., rreth 34 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se plagosja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu” gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, thuhet në njoftimin e policisë.
